Barcelona zbret sonte në fushë për një tjetër sfidë të rëndësishme në La Liga, teksa në Ramón Sánchez-Pizjuán përballet me Sevillan, në kuadër të javës së shtatë.
Katalanasit vijnë në këtë përballje me një start perfekt në kampionat, me 18 pikë nga gjashtë ndeshje dhe një bilanc prej 28 golash të shënuar. Skuadra e Hansi Flickut synon ta vazhdojë serinë prej gjashtë fitoreve radhazi dhe të ruajë kreun e tabelës.
Sevilla, në anën tjetër, po zhvillon një fillim pozitiv të sezonit dhe aktualisht renditet e pesta me 13 pikë, pas katër fitoreve, një barazimi dhe një humbjeje. Përballja në Andaluzia pritet të jetë një test i rëndësishëm për Barcelonën para pauzës së radhës ndërkombëtare.
Flick do të ketë disa mungesa, ku Joan García, Frenkie de Jong dhe Roony Bardghji nuk janë të gatshëm. Për portën pritet të startojë Wojciech Szczesny, ndërsa trajneri gjerman ka paralajmëruar edhe disa ndryshime në formacion.
Një tjetër motiv për Barcelonën është edhe kujtimi i sezonit të kaluar, kur katalanasit u mposhtën 4-1 nga Sevilla pikërisht në Sánchez-Pizjuán. Sonte, Barça synon një tjetër paraqitje të fortë për ta mbyllur këtë fazë të sezonit me një tjetër fitore.
Ndeshja Sevilla – Barcelona zhvillohet sonte nga ora 21:00.