Ministria e Administrimit të Pushtimit Lokal (MAPL) i ka dërguar kërkesë Komunës së Prizrenit për rishqyrtimin e vendimit të Kuvendit të Komunës mbi bartjen administrative të pronës së ish-Sekretariatit Federativ për Mbrojtje Popullore (ish-APJ-së) në prona publike komunale, të miratuar në shtator të këtij viti.
Kjo ministri ka njoftuar autoritetet lokale se Komisioni ndërministror për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të KK-së së Prizrenit ka vlerësuar se akti në fjalë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Ligjin për pronësinë dhe të drejtat sendore, shkruan sot Koha Ditore.
“Komisioni, pas shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit vlerëson se vendimi mbi bartjen administrative të pronës së ish-Sekretariatit Federativ për Mbrojtje Popullore – ish-APJ-së, në prona publike komunale është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e Komisionit ndërministror që është dërguar në adresë të MAPL-së.
Fillimisht MAPL-ja ka sqaruar se ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë së këtij vendimi të KK-së së Prizrenit.