Marrjen nën kontroll të perimetrit të jashtëm të aeroportit nga ushtria, Lulzim Basha e quajti antikushtetues. Përmes një video qe shpërndau për ndjekësit ne rrjetet sociale pas një takimi në Vlorë, Basha akuzoi kryeministrin se po tenton t’u ikë përgjegjësive.
“Dislokimi i forcave të armatosura ushtarake, në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe të paligjshme, është një provë e rënies totale të shtetit dhe të kapitullimit të policisë para krimit. Asnjë alibi dhe fshehje pas aferave të dështuara korruptive mes Edi dhe Olsi Ramës dhe kompanisë koncensionare, nuk do të mbulojë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, që e ka sjellë vendin në kushtet e një grushti shteti kushtetues”.
Më herët Basha akuzoi qeverinë se i ka lënë dorë të lirë krimit.
“Kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitje me armë e avionit të linjës ndërkombëtare në mes të ditës, Çdokush e kupton se në çfarë niveli është policia, se në çfarë niveli është katandisur rendi dhe siguria”.
Duke folur për një situatë të rëndë ku ndodhet vendi kryetari demokrat ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së 13 prillit në Tiranë./tvklan/