Basha: Bashkimi i PD përmes parimeve, reforma zgjedhore, Drejtësia dhe partneriteti me Perëndimin

Prishtinë | 30 Mar 2024 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se kjo parti i qëndron kërkesës për lista të hapura pasi sipas tij, u shërbejnë 2 qëllimeve.

“U mundësojnë qytetarëve të çojnë në Parlament atë që dëshirojnë dhe jo atë që u përcakton kryetari i partisë. Dhe nga ana tjetër dhe e kuptoj që me këtë prek shumë nerva në veçanti të kryetarëve aktual të formacioneve politike, diktojnë dhe një realitet shumë më të saktë sesa primarja më masive. Pse, sepse një listë e hapur do të thotë se cili ka më shumë vota brenda partisë. Ky mund të jetë kryetari i partisë, por mund të mos jetë kryetari i partisë”, tha Basha.

Basha u ndal edhe tek vendimi i pritshëm për vulën dhe logon e PD-së.

“Nuk ka asnjë shans që Gjykata e Apelit të marrë vendim kundër PD. Ndaj për fat të keq po shohim histeri jashtë çdo etike politike dhe komunikimi që në fakt nga njëra anë tregon nervozizëm dhe nga ana tjetër një përpjekje të dobët për t’iu imponuar gjykatës. Gjykata do të vendos, ndërsa thirrja jonë është që pala tjetër të pranojë vendimin e gjykatës”, tha Basha.

Kreu i PD-së foli edhe për situatën e vështirë brenda kësaj partie gjatë viteve të fundit, duke theksuar se ka qenë shumë e vështirë për të por edhe për demokratët.

“Kemi nxjerrë shumë mësime. Politika e ka të nevojshme rinovimin”, tha Basha.

“Kemi një PD dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale. Dalja nga kjo situatë ndodh duke bashkuar forcat rreth interesit publik dhe atij të demokratëve. Nuk bëhet fjalë për bashkime mekanike. Bashkimi i PD bëhet përmes parimeve, reforma zgjedhore, qëndrimi ndaj drejtësisë dhe partneriteti me Perëndimin. Këtu jemi të hapur”, tha Basha.

“Duhet të mendojmë çfarë është e mirë për PD dhe shqiptarët, jo interesat personale. Në thelb, ajo që na ndan dhe ajo që mund të na bashkojë në fund është çfarë është e mirë për shqiptarët është e mirë për PD, për shqiptarët ka nevojë për rotacion dhe PD duhet të hedhë hapat drejt rotacionit”, shtoi ai.

Basha informoi se PD do të nisë evidentimin e kandidatëve për deputetë. “Brenda majit do organizojmë një Kuvend programor, ku do të shpalosim programin politik dhe qeverisës të PD-së”, tha ai.

Sipas Bashës, vendimmarrjet e PD-së janë udhëhequr gjithmonë nga interesi publik.

“Beteja jonë nuk është e lehtë. Ikja e shumë njerëzve lidhet me faktin se ka persona që ndjekin interesa të tyre dhe nuk duan të ndjejnë përgjegjësi mbi supet e tyre. Ne jemi koherent si PD zyrtare. Ne nuk bëjmë diçka për karriget tona, por ne besojmë tek interesi i shqiptarëve. Dera është e hapur për këdo që reflekton”, tha Basha./atsh

Të ngjashme