Partia Demokratike me aleatët e saj u mblodhën në një tryezë, së bashku me drejtues të LSI-së, për të diskutuar aksionin e tyre politik pas fakteve që kanë dalë nga dosja “Habilaj”.
Pas përfundimit të takimit, Basha foli për mediat duke thënë se Shqipëria ndodhet përpara një gremine të vërtetë dhe fronti i bashkuar opozitar kërkon largimin e Kryeministrit.
“Fronti i bashkuar opozitar kërkon largimin e Kryeministrit Rama, përfitues i drejtpërdrejt nga krimi dhe ministrat e tij të lidhur me krimin. Fronti i bashkuar opozitar kërkon krijimin e një qeveria antimafia”, u shpreh Basha.
Basha theksoi se sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme politikë të lidhjeve të krimit me politikën.
“Çfarë do të bëjmë më tej? A mund t vazhdohet më kështu? A mund t’i besohet kësaj kupole në pushtet? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një mazhorancë të kapur nga krimi? Përgjigja për çdo shqiptarë është, jo”, u shpreh Basha.
Ndërkohë, pas takimi foli edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila e vlerësoi tryezën si një sinjal pozitiv.
“Tryeza ishte një sinjal shumë i mirë sepse ky front do të nisë angazhimin e tij. Fronti opozitar kundër narko-shtetit”, tha Monika, shkruan Top Channel.