Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e premte, deklaroi se sulmi me kallashnikov ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala ndodh vetëm “kur krimi ka mbështetje politike”.
“Dje, u sulmua me automatik shtëpia e gazetares Klodiana Lala. Një sulm i tillë bëhet vetëm kur krimi ka mbështetje politike. I turpshëm dhe i neveritshëm është reagimi i prokurorisë, që duhet të nisë veprimet menjëherë për një hetim gjithëpërfshirës. Tallje është Tëitter-i i Edi Ramës. Gazetarja kishte denoncuar aferën “Çyrbja”. Përgjimet tregojnë se si deputeti socialist komunikon në telefon me një anëtar të bandës së Emiliano Shullazit, duke iu referuar bandës me “ne”. Sot e kësaj dite nuk ka reaguar prokuroria”, u shpreh kreu i PD-së, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
“Vendi është në krizë të trefishtë: krizë e sigurisë, kushtetuese dhe ekonomike. Kjo verë nuk ka qenë e nxehtë vetëm për shkak të motit, por edhe në kuptimin e vazhdimit të skandaleve që konfirmojnë krizën e trefishtë. Kryeministri qytetarëve u ka ndërtuar një faqe interneti, ndërsa kohën e kalon me kriminelët. Me ta ka akses të drejtpërdrejtë. Ulet gju më gju me ta dhe me ministrin e Brendshëm. Skandalet që plasin njëri pas tjetrit bëjnë që të harrohet skandali i mëparshëm. Prioriteti i PD-së mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë në këtë vend sa kohë që vendi bashkëqeveriset me krimin”, shtoi Basha.