Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat tha se klima e qetë nën të cilat u zhvilluan zgjedhjet ishte një konsolidim i mëtejshëm i standardeve demokratike në Kosovë.
Sipas Bashës, Partia Demokratike i konsideron një prioritet absolut marrëdhëniet me Kosovën dhe thellimin e bashkëpunimit me çdo qeveri të dalë nga vota legjitime e popullit sovran.
“Personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike përshëndes zgjedhjet e mbajtura në Kosovë. Klima e qetë dhe transparente e zgjedhjeve janë dëshmi entuziaste të konsolidimit të mëtejshëm në Kosovë të standardeve demokratike evropiane. Cilësia e këtyre zgjedhjeve është një ogur i mirë në rrugën evropiane të Kosovës. Partia Demokratike i konsideron një prioritet absolut marrëdhëniet me Kosovën dhe thellimin e bashkëpunimit me çdo qeveri të dalë nga vota legjitime e popullit sovran. Me këtë rast dua të shpreh vullnetin tim të plotë se nesër në drejtim të qeverisë së Shqipërisë do të rris bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe qeverinë e re të saj drejt të ardhmes së përbashkët euroatlantike”, deklaroi Basha.