Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni opozitar ka braktisur Parlamentin edhe këtë të enjte, duke u mbledhur në Vlorë për të denoncuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se vendi është në emergjencë kombëtare dhe qytetarët duhet të ngrihen për të pastruar Parlamentin, që sipas tij është uzurpuar nga banditët dhe kriminelët.
“Drejtësia në kolaps, shteti në kolaps, pa Gjykatë Kushtetuese, pa prokuror që të ndjekin çështjet e mprehta të kriminalitetit, nuk mund të jetë zgjidhja për vjedhjen me ligj që votohet sot në Kuvend. Nuk ka gjykata, dhe Prokuroria ka rënë. Ne jemi një shtet ku policia dhunon qytetarët për të mbrojtur oligarkët. Cili është roli i opozitës? Çfarë mund të bëjmë ne duke u rikthyer në Kuvend në këto kushte?
Së pari fasadën e krimit. A është kjo mënyra për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë? Cili është roli i qytetarëve kur Parlamentin e kanë marrë peng një tufë banditësh. Çlirimi i Parlamentit nga sovrani përmes mobilizimit qytetar është rekursi i vetëm në gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhemi sot. Kjo emergjencë merr shprehje në iniciativën tonë për vettingun në politikë”, thekson Basha.
Për Vlorën, Lulzim Basha thotë se është kthyer në një zonë lufte që kontrollohet nga bandat kriminale dhe koston e përlasjeve mes tyre mbajnë qytetarët.
“Krimi i organizuar në bashkëpunim me Edi Ramën, e ka shndërruar Vlorën në një zonë lufte për kontroll droge. Kryeministri është peng i krimit. Por Vlora nuk mund të rrijë peng i krimit. Fatura që paguajmë për të është tepër e lartë, me jetë njerëzore, varfëri, papunësi. Zbatimi i ligjit i besohet një ministri të Brendshëm të bërë njësh me krimin, siç është Fatmir Xhafa. Këtij kolapsi, i shtohet dhe kolapsi në drejtësi“, nënvizon kryetari i PD, raporton Tvklan, transmeton Klan Kosova.
Kryedemokrati akuzon edhe Prokurorinë, duke thënë se është nën kontrollin e plotë të Kryeministrit.
“Keni parë çfarë ndodhi dje në gjyqin e Emiljano Shullazit, të bllokuar prej tre muajsh. Dje gjithë trupa e prokurorëve refuzoi duke u larguar nga mbledhja. Sot gjyqi ndaj kryebanditit Shullazi është pa prokuror. Nuk ka prokuror për të gjykuar banditët. Kjo është vepra e Edi Ramës me reformën në drejtësi. Emiljano Shullazi, Saimir Tahiri dhe Edi Rama janë një dhe vetëm një. Ky është shërbimi i Edi Ramës ndaj Emiljano Shulllazit dhe dhjetra “Shullazëve” të tjerë”, thotë Lulzim Basha