Familja 5-anëtarësh e Agron Kuliqit nga Abria e Skenderajt është bërë me shtëpi të re falë kontributit financiar të bashkatdhetarëve nga Zvicra.
Me iniciativën e bashkatdhetarëve Flurim Shemsedini, Bekim Berisha, Faruk Rashiti dhe Agim Prishtina dhe me përkrahjen financiare të shumë bashkatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, kësaj familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe me paaftësi për të punuar, i është siguruar strehimi.
Me rastin e dorëzimit të çelësave të shtëpisë së re për, bashkatdhetari nga Lugina e Preshevës, që punon dhe jeton në Zvicër, Flurim Shemsedini, në emër të të gjithë kontribuueseve, tregoi për vullnetin e tij dhe të shumë shokëve për të ndihmuar këtë familje në nevojë.
Ai shpjegoi mënyrën e se si ishte iniciuar ndërtimi i shtëpisë, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për mirëqenien e kësaj familjeje, numri i të cilëve është rreth 250 persona. Shemsedini në veçanti falënderoi bashkatdhetarin nga Gjilani Forim Selishta, i cili ka dhënë një pjesë të madhe të mjeteve financiare si dhe mobiliet e sjella nga Zvicra për shtëpinë e familjes Kuliqi.
Falënderim të veçantë pati edhe për kompanitë që kanë siguruar në mënyrë humanitare një pjesë të pajisjeve dhe inventarit tjetër për shtëpinë e re, duke përmendur kontributin e kompanisë ndërtuese, kompaninë “Art Dekor” për kuzhinën dhe kompaninë “Trocal” nga Gjilani për dyert dhe dritaret e shtëpisë.
Në emër të Komunës së Skenderajt, kryesuesi i Kuvendit komunal Ismet Salihu, i falënderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën në të gjitha periudhat. Ai pati një falënderim të posaçëm për të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e shtëpisë së re për familjen Kuliqi, në veçanti për iniciuesit e kësaj vepre humane.
Salihu tha se ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm kur bashkatdhetarët kanë kontribuar në mënyrë humanitare për mirëqenien e qytetarëve të Skenderajt. Ai e theksoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin që ka pasur Komuna e Skenderajt me donatorët.
Ndërsa Kimete Kuliqi, zonja e shtëpisë, përzemërsisht falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar financiarisht në ndërtimin e shtëpisë për familjen e saj. Ajo me lot ndër sy kujtoi kohën kur kishte jetuar në kushte shumë të vështira në mungesë të një kulmi mbi kokë për fëmijët e saj.