Në rastin ku Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj S.F., bashkëshorti i të ndjerës, N.F., ka vazhduar dhënien dëshmisë edhe në seancën e së enjtes , të cilën dëshmi e kishte filluar ta jap në seancën paraprake.
“Nipi im, B.F., i ka siguruar qeset (me gjak), por nuk e di se kush ia ka dhënë dhe ku i ka marrë”, deklaroi N.F., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati i të dëmtuarit N.F., Asdren Hoxha, sqaroi se qeset e gjakut me të cilat ishte furnizuar e ndjera nuk gjenden askund.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Selman Demolli, avokati Besnik Berisha, theksoi se qeset e gjakut ruhen në të paktën dy institucione.
“Secila qese e gjakut ka një numër të vendosur qartë në të, dhe ky numër ruhet në dy vende, në transfuzion dhe në destinacionin e saj, si dhurues”, tha avokati Berisha.
Në fund të seancës, avokati Berisha pati vërejtje procedurale lidhur me udhëheqjen e seancës nga trupi gjykues, gjykatësi Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi, dhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla.
“Kam vërejtje që vendimet procedurale po merren vetëm nga kryetari i trupit gjykues. Kërkoj që ato të merren nga i gjithë trupi gjykues”, tha Berisha.
Gjykatësi Syla iu përgjigj duke sqaruar: “Vendimet procedurale merren nga trupi gjykues, por jo në çdo rast është e domosdoshme që të konsultohen të dy anëtarët e tjerë”.
Pasi nuk pati vërejtje të tjera nga palët e pranishme, seanca u ndërpre për shkak se kryetari i trupit gjykues kishte planifikuar një tjetër seancë për sesionin e pasdites. Dëshmitarët e tjerë pritet të vazhdojnë në seancën e ardhshme.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë në QKUK-KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke vepruar me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacientin, kanë përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës – tani të ndjerës S.F.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në emergjencë apo në terapi intensive, duke nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e gjakut, duke vlerësuar gabimisht gjendjen e pacientes dhe anashkaluar konsultimin e transfuziologut.
Siç thuhet në aktakuzë, e akuzuara Zejnullahu duke e ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente dhe nuk ka dërguar qesen me gjak, për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës, duke ditur faktin se ka grupe të ndryshme të gjakut dhe duke e shkatërruar si provë kryesore në këtë rast.
Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Demolli dhe Muja nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit, sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuzuiologun pasi të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë që të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me antireaksion (terapi për reaksion post-tranzionit), pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur neurologun, tani të akuzuarin Sheholli.
Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar të bëhet CT e trurit të pacientes dhe anashkaloi konsultën me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomanduan mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vjen deri te vdekja e të dëmtuarës S.F.
Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par. 4 lidhur me par.1 të Kodit Penal.