Bashkimi Afrikan heq dorë nga blerja e vaksinave që po përdoren në Kosovë

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Afrikan, organizatë e shteteve të Afrikës, ka njoftuar se është tërhequr nga planet për të blerë doza shtesë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca për Covid-19 drejtpërdrejt nga Instituti “Serum” i Indisë dhe në vend të kësaj, do të përqendrohet në blerjen e vaksinave të prodhuesit amerikan, Johnson & Johnson.

John Nkengasong, drejtor i Qendrave Afrikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se vendimi nuk është i lidhur me shqetësimet e fundit për sigurinë e vaksinës së AstraZeneca-s, por sepse “punojnë shumë ngushtë me COVAX-in”, program për shpërndarjen e vaksinave në shtetet e varfra.

Duke folur në një konferencë për gazetarë në Addis Ababa të Etiopisë të enjten, Nkengasong sqaroi se blerja e vaksinave të kompanisë “Johnson & Johnson” do të bëhet për t’u siguruar që Instituti “Serum” i Indisë të ketë mundësi që të ofrojë doza për programin e COVAX-it.Reklamë

Javën e kaluar, Ekipi Afrikan për Sigurimin e Vaksinave nënshkroi një marrëveshje paraprake për blerje të 220 milionë dozave nga prodhuesi amerikan, “Johnson & Johnson”, në emër të 55 shteteve anëtare të Bashkimit Afrikan, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Grupi i shteteve afrikane tani do të synojë që të sigurojë edhe 180 doza shtesë nga prodhuesi “Johnson & Johnson”, shtoi zyrtari i lartë i Bashkimit Afrikan.

Vendimi i Bashkimit Afrikan për të hequr dorë nga blerja e dozave shtesë të vaksinës së AstraZeneca-s erdhi vetëm një ditë pasi Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se mund të ekzistojë lidhje mes vaksinës dhe mpiksjes së rrallë të gjakut në tru.

Dozat e kësaj vaksine po përdoren në Kosovë. Vaksinën e AstraZeneca-s e ka marrë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se veprimin e ka bërë për t’i inkurajuar të tjerët që ta marrin vaksinën. Si grupe me prioritet për vaksinim janë zgjedhur punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit.

Të ngjashme