Bayern – PSG, përsëritje e finales së fundit

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Gjiganti bavarez pa Lewandowskin e pret në çerekfinale të Champions Leagues sonte PSG-në me Mbappen e Neymarin. Dueli tjetër është ai në mes të Portos me Chelsean.

Liga e Kampionëve vazhdon sonte me dy ndeshjet tjera çerekfinale.

Pa diskutim, dueli kryesor i natës është ai në mes të Bayern Munichut me Paris Saint-Germainin.

Në fakt, do të jetë një përsëritje e finales së fundit, ku ishin përballur këto dy ekipe, e ku fitonte gjiganti bavarez.

Tash, kampioni gjerman nuk do të mund të llogarisë në lojtarin kryesor, sulmuesin Robert Lewandowski, i cili është i lënduar.

Gjithashtu, Bayernit i mungojnë edhe Costa, Gnabry, Roca e Tolisso, shkruan Gazeta Express.

Nga ana tjetër, kampioni francez do të jetë i mangët pa Bernat, Florenzi, Icardi, Kurzawa, Paredes e Verratti.

Përkundër mungesave në të dy taborët, pritet të zhvillohet një ndeshje mjaft interesante në “Allianz Arena”.

Trajneri Hansi Flick e ka përgatitur si duhet ekipin me të cilin do t’i kundërvihet kundërshtarit.

Nga ana tjetër, trajneri Maurizio Pochettino llogarit në dyshen Mbappe – Neymar për të shkuar tutje.

Për nga përvoja, Bayerni shihet si favorit pasi ka shkuar në finale të Championsit plot 11 herë, kurse PSG-ja vetëm një herë.

Sidoqoftë, motivi është më i madh në anën e gjigantit francez, i cili është i uritur për ta fituar këtë trofe.

E dueli tjetër i natës së sontme është ai në mes të Portos dhe Chelseat.

“Blues” do të mundohen të nxjerrin rezultat pozitiv në lojën e parë, për ta siguruar më pas kualifikimin në shtëpi javën tjetër.

Mirëpo, Porto, pasi e befasoi Juventusin, synon ta vazhdojë rrugëtimin dhe ëndrrën në Champions.

Të dyja ndeshjet do të fillojnë në orën 21:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme