Bayern Munich vazhdon të planifikojë lëvizjet e tij për sezonin e ri, me kampionët gjermanë që synojnë të përforcojnë repartin defensiv gjatë afatit kalimtar të verës.
Një nga emrat që vazhdon të lidhet me një kalim në “Allianz Arena” është qendërmbrojtësi i Interit, Yann Bisseck. Mbrojtësi 25-vjeçar ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me klubin italian dhe paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve bavarezë.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Bisseck është në listën e ngushtë të drejtorit sportiv të Bayernit, Max Eberl, ndërsa vetë lojtari shihet si profili ideal për projektin e kampionëve gjermanë.
Raporti thekson se ish-futbollisti i Kölnit është i intriguar nga mundësia për t’u rikthyer në Gjermani dhe për të luajtur si titullar i rregullt në Bundesliga, veçanërisht në një klub që lufton çdo sezon për trofeun e Ligës së Kampionëve.
Karriera e Bisseckut ka marrë një kthesë të jashtëzakonshme vitet e fundit. Pasi nuk arriti të depërtojë te Kolni, ai kaloi nëpër disa huazime para se të transferohej te Aarhus në Danimarkë. Pikërisht aty nisi ngritja e tij, e cila e çoi më pas te Interi, ku është shndërruar në një nga shtyllat e mbrojtjes.
Pak javë më parë, mbrojtësi gjerman kishte pranuar se ndihej i nderuar nga raportimet që e lidhnin me Bayernin, megjithëse kishte theksuar se pas sezonit të gjatë dëshironte fillimisht të pushonte para se të merrte vendime për të ardhmen.
Interi nuk dëshiron të heqë dorë lehtë nga një prej mbrojtësve më të rëndësishëm të skuadrës, por situata financiare mund ta detyrojë klubin italian të dëgjojë ofertat. Sipas mediave italiane, “Nerazzurrët” kërkojnë rreth 40 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit.
Tani mbetet të shihet nëse Bayern Munich do të bëjë hapin konkret për transferimin e Bisseckut, i cili mund të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos verore në Gjermani.