BB do të vazhdojë mbështetjen e projekteve të energjisë në Kosovë

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 17:29 | Nga

Banka Botërore (BB) do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës, me fokus sektorin e energjisë, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Kështu kanë thënë përfaqësuesit e Bankës Botërore, Linda van Gelder, drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor dhe Marco Mantovanelli, drejtor i Bankës Botërore për Kosovë gjatë takimit që zhvilluan sot me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Me këtë rast drejtoresha Gelder u njoftua nga ministri Lluka me prioritetet e MZHE-së, ku sektori i energjisë zë vendin më të rëndësishëm, respektivisht projekti i TC Kosova e Re dhe projektet për zbatimin e masave të Eficiencës së Energjisë, që kanë për qëllim sigurinë e furnizimit me energji dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministri Lluka dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale ekonomike në vend, e veçanërisht për sektorët që mbulohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Gelder ka ritheksuar mbështetjen e institucionit që përfaqëson për projektet e energjisë, i bindur se siguria e furnizimit me energji ka impakt direkt në zhvillimin ekonomik.

Nga ana e tij, kreu i MZHE-së ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen financiare që u jep projekteve të energjisë, një prej të cilëve është edhe kredia për zbatimin e masave të EE në ndërtesat publike, projekti në fushën e TIK-ut dhe ai i rivitalizimin e kanalit të Ibër Lepencit.

Të ngjashme