Zgjedhje edhe pas zgjedhjeve. Kështu do të mund të sqarohej përmes një fjalie se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Edhe pse Lista Serbe fitoi bindshëm në katër komuna – Mitrovicën Veriore, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – nga kjo parti jozyrtarisht thonë për BBC-në në gjuhën serbe se për ta zgjedhjet kryesore do të mbahen në Beograd të premten, më 24 maj.
“Pas zgjedhjeve bëjmë zgjedhje të tjera, dhe ky është takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me drejtorin e Zyrës për KeM, Marko Gjuriq”.
“Ky takim është i planifikuar paraprakisht dhe pas tij do t’i dimë të gjitha, a të japim dorëheqje dhe cilat janë planet tona të ardhshme”.
Pas votimit të qytetarëve të veriut të Kosovës, tani ‘votën’ do të japë edhe Beogradi, ndërsa këto janë tri prej gjërave më të rëndësishme që duhet t’i dini.
Menjëherë pas shpalljes së fitores nga kandidatët e Listës Serbe në Mitrovicën Veriore, në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, i kanë telefonuar Aleksandar Vuçiqit.
Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një bisedë telefonike me Vuçiqin i ka thënë atij se nuk po festojnë fitoren, sepse këtë rezultat e prisnin.
“Po festojmë unitetin e popullit serb dhe lidhjen tponë më të fuqishme me shtetin tonë amë, Serbinë”, është shprehur Rakiq, dhe pastaj ka hapur spikerfonin që ta dëgjojnë të tubuarit Vuçiqin, i cili i ka falënderuar të gjithë njerëzit të cilët, siç ka thënë, kanë dalë në zgjedhje në veri të Kosovës – “në vendin tonë, në Serbinë tonë”.
“Me këtë nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet, por kemi dëshmuar se bashkarisht, me unitet do të luftojmë për të zgjidhur problemet e tilla dhe do të luftojmë për interesat e popullit serb”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se rezultati i zgjedhjeve është dëshmia më e mirë e politikës së unitetit, luftës për interesat vitale kombëtare dhe për interesat më të rëndësishme shtetërore.
Ai ka paralajmëruar takimin me përfaqësuesit e serbëve në Beograd para seancës së Kuvendit për Kosovën dhe Metohinë, në mënyrë që të bisedojnë se çfarë duhet të bëjnë në të ardhmen, transmeton Koha.net raportimin e BBC-së në gjuhën serbe.