BE, Banka Botërore e Qeveria përmes Fondit për Efiçiencë të Energjisë investojnë mbi 200 mijë € në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë, kursehet 74% e energjisë

Podujevë | 21 Dhj 2022 | 15:19 | Nga Lirigzona Nuredini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë është përuruar projekti i termoizolimit në kuadër të masave të efiҫiencës së energjisë, me financimin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe qeverisë së Kosovës përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të projektit në këtë shkollë janë bërë këto ndërhyrje: Izolimi termik i mbështjellësit (komplet objekti), ndërrimi i dritareve dhe dyerve, zëvendësimi i ndriçimit me ndriçim efiçient LED, instalimi i një kaldaje me pelet, tabelat shpërndarëse elektrike dhe alarmi i zjarrit.

Shuma e investimit në këtë objekt është mbi 233 mijë euro. Kursimi i synuar në baza vjetore është rreth 290 megevat orë ose rreth 74% të kursimit të energjisë në krahasim me konsumin.

AnnaCarin Palton, zëvendësshefe e zyrës së BE-së në Kosovë, tha se investimi në energji efiçiente mbetet prioritet për BE-në dhe se në këtë sektorë do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

“Dua të falënderojë të gjithë që po marrin pjesë në përfundimin e këtij projekti që kemi investuar e që mundëson përmirësimin e jetës së nxënësve. Efiçienca e energjisë është prioritet dhe për këtë ne e mbështesim Kosovën”.

“Ky investim nuk ka ndikim vetëm tek ata që është investuar direkt, por ndikon edhe në dekarbonzim dhe ka benefite për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. BE-ja ka ndarë 30 milionë euro për energji efiçente për të mundësuar investime në ndërtesat publike. E shfrytëzojë rastin që të i’u bëjë thirrje nga këtu të gjithëve që ta kurseni energjinë”.

Zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë Elene Imnadze, tha se projektet e tilla kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe kursimin energjisë.

Madje sipas saj, shkolla tash plotëson kushte për mësim dhe investimi kontribuon në cilësinë e mësimit.

“Jam e lumtur që bashkë me BE-në dhe Fondin e Kosovës për Energji Efiçente po mundësojmë investime në këtë projekt ku përfshin investime në shkolla, ndërtesa publike. Shkolla tash plotëson kushte për mësim dhe investimi kontribuon në cilësinë e mësimit”.

“Projekte e tilla kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe kursimin energjisë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë, tashmë edhe kur është miratuar Strategjia për Energjinë, e që do të kontribuojnë në zbatimin e agjendës së gjelbër”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kanë parë për së afërmi investimet e bëra në shkollë, duke shtuar se përveç kursimit të energjisë investimi është mirëpritur edhe nga nxënësit të cilët kanë deklaruar shkolla është më e ngrohtë e më e rehatshme.

Ajo shtoi se investimi në efiçencë të energjisë mbetet prioritet i Qeverisë.

“Sot përuruam masat në efiçiencë së energjisë, që po realizohen nga Fondi i Efiçiencës në bashkëpunim me komunën dhe me Bashkimin Evropian”.

“Ne pamë për së afërmi investimet që janë bërë në termoizolim jashtëm ndërrimin e dritareve, vendosjen e kaldajës e cila ishte prodhim i Kosovës dhe ishe një lajm i këndshëm dhe më e rëndësishmja. Nga të gjitha pamë që përveç kursimeve sa i përket nevojës për energji dhe kostos së energjisë, fëmijët këtu dhe personeli u shprehën se shkolla tanimë është shumë më e ngrohtë dhe e rehatshme gjatë muajve të dimrit”.

“… kjo është më e rëndësishmja dhe na bënë më të lumtur që të shohim rezultate direkte të punës së përbashkët. Sigurisht që çdo projekt tjetër si çdo investim jo vetëm ky kërkon financa, por edhe përpjekje dhe bashkërendim dhe koordinim në mes të gjithë institucioneve”.

Shpejtim Bulliqi, kryetari i komunës së Podujevës tha se se investimi në këtë shkollë i ka plotësuar kushtet për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e procesit mësimor, raporton EO.

“Kjo është një ndër 4 shkollat që kanë përfituar në komunën tonë dhe një rrugë në të cilën është investuar ndriçimi publik. Janë të mirëseardhura për komunën tonë dhe jashtëzakonisht janë të mirëseardhura për këta nxënës dhe mësimdhënës të cilët këta tani e tutje do ta kenë një objekt shkollor më të ngrohtë, i cili i plotëson kushtet më të mira për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e procesit mësimor”.

Ahmet Ismaili, drejtor menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, tha se nga ky projekt do të përfitojnë 1200 nxënës.

“Ne sot promovuam investimet e bëra në shkollën ‘Shaban Shala’ nga Fondi i Efiçiencës së Energjisë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Qeveria e Kosovës. Ka qenë një bashkëpunim edhe me kryetarin e Komunës. Investimi këtu kalon shumën e 230 mijë eurove dhe janë përfitues të drejtpërdrejtë mbi 1200 nxënës dhe 60 personel të shkollës drejtpërdrejtë”.

Deri më tani, Bashkimi Evropian ka alokuar 13 milionë Euro për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Kosovë. Pakoja e re mbështetëse për energji e Bashkimit Evropian me vlerë prej 75 milionë Euro do të ndihmojë familjet në nevojë me shpenzimet e energjisë, si dhe sektorin publik dhe privat për të përmirësuar efiçiencën e energjisë dhe kalimin në burime të energjisë së ripërtërishme.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me përkrahjen e Bashkimit Evropian në Kosovë, të Bankës Botërore dhe qeverisë së Kosovës, është duke zbatuar projekte të energjisë efiçiente në mbi 70 ndërtesa publike në mbarë Kosovën. Me këto investime pritet të zvogëlohet konsumi i energjisë deri më 65 %.

Kjo ngjarje është pjesë e fushatave të Zyrës së BE-së #ForYouWith You (e cila promovon ndihmën e BE-së për Kosovën) dhe #ForGoodEnergy, dhe do të vazhdojë edhe në komunat e tjera.

Të ngjashme