Bashkimi Evropian e ka thirrur në raportim ambasadorin e Rusisë në Bruksel, Vladimir Chizhov, për ta dënuar vendimin hakmarrës për ndalimin e hyrjes në Rusi për tetë zyrtarë të BE-së.
Zyrtarët e BE-së e informuan ambasadorin rus në takim për kundërshtimin e fuqishëm dhe dënimin e vendosur nga institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të bllokut për këtë vendim, që ka qenë qartazi i motivuar politikisht dhe që i mungon ndonjë arsyetim ligjor, tha Komisioni Evropian.
Ata gjithashtu e përmendën edhe dëbimin e diplomatëve çekë si hakmarrje për dëbimin e diplomatëve rusë nga Praga pas fajësimit të tyre për një shpërthim vdekjeprurës në Çeki në vitin 2014, shkruan Free Europe.
Bashkimi Evropian shfaqi shqetësim serioz për ndikimin e grumbulluar të të gjitha këtyre vendimeve në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, misioni i Rusisë në Bashkimin Evropian tha se ambasadori Chizhov ofroi sqarime shtesë për masat që janë marrë si hakmarrje kundër vendimeve “të njëanshme” të BE-së.
Muajin e kaluar, BE-ja u vendosi sanksione dy rusëve të akuzuar për përndjekje të personave homoseksualë në rajonin jugor rus të Çeçenisë. Bashkimi Evropian gjithashtu u vendosi sanksione katër zyrtarëve të lartë rusë të afërt me presidentin Vladimir Putin.