Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), marrëveshje e cila ndihmon në rritjen e investimeve të huaja direkte, duke përafruar më shumë politikat e IFC-së, të investimeve me praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe duke përmirësuar shërbimet e saj ndaj investitorëve.
Kjo është në përputhje me zotimet e bëra nga Kosova për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale.
Liderët e Ballkanit Perëndimor në 2017 ishin pajtuar të krijojnë një Zonë Ekonomike Rajonale (ZER) për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, investimeve dhe punëtorëve profesional. IFC me kontributin financiar nga Komisioni Evropian, do të mbështes Kosovën në implementimin e reformave kryesore të lidhura me politikat e investimeve të domosdoshme për ZER, raportoton Ekonomia Online.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha ky projekt do të adresoj të gjitha fazat e ciklit jetësor të një investimi, që nga përmirësimi i procedurave për hyrjen dhe kryerjen e investimeve si dhe përforcimi i politikave për mbajtjen e investimeve deri tek avancimi i punës në promovim dhe tërheqje të investimeve.
“Ne si MTI e vlerësojmë shumë lart punën dhe partneritetin e deritanishëm që MTI-ja ka me IFC=në dhe unë sot para jush dhe në takim i konfirmova interesimin dhe gatishmërinë e ministrisë që ky bashkëpunim të vazhdoj, kam falënderuar BE-në në Kosovë që është njëra ndër donatorët më aktiv te Kosovës dhe partneri më i rëndësishëm i shtetit tonë drejt integrimeve rajonale dhe evropiane”, tha Shala.
Sipas tij, projekti i nënshkruar është rajonal që mbulon Ballkanin Perëndimor dhe do ta ndihmoj Qeverinë e Kosovës në përmirësimin e klimës së mëtejme të investimeve në Kosovë.
“Ne si Qeveri dhe MTI gjatë takimeve tona me investitor të huaj e vendor jemi duke parë që po rritet numri i investitorëve te interesuar me investu në Kosovë dhe si MTI përmes projektit synojmë të përmirësojmë politikat ligjore dhe rregullative, të bëjmë Kosovën një vend atraktiv për investitorët e huaj”, tha Shala.
Zv.shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, tha se BE-ja është investitori më i madh ne Kosovë dhe se ky projekt do financohet nga BE-ja me 2.5 milionë euro.
“Jemi pjesa që financon projektet 100% që është projekt rajonal ka të bëj me Kosovën dhe vendet tjera rajonale, është një buxhet prej 2.5 milionë euro dhe mbështesim këtë projekt sepse është në përputhje me një varg objektivash që kemi me Kosovën dhe vendet tjera që kanë të bëjnë me investimet për zhvillim ekonomik”, tha Serri.
“BE-ja është e bindur se inkurajimi i një bashkëpunimi për rritje ekonomike është mënyra me e mirë për të promovuar integrimin evropian dhe do promovohen nivelet e larta dhe mund të sjellën mundësi ekonomike më të mëdha”, tha ai.
Ai tha se BE-ja është partneri më i madh investues tregtar ne Kosovë dhe sipas tij, Kosova ka mundësi potenciale që mund të promovohen përmes këtij projekti.
Menaxheri rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Thomas Lubeck tha se një marrëveshje është për të joshur investitorët e huaj në Kosovë.
“Qëllimi i marrëveshjes është t’i ndihmojë MTI-së dhe Kosovën t’i ruaj dhe josh investimet e huaja. Një nga problemi kryesor qe po has Kosova është krijimi i vendeve të punës, qytetarët të kenë mundësi të përmirësojnë cilësinë e jetesës”, tha Lubeck.
Ai tha se Kosova po mundohet të krijoj vende të punës dhe sektori privat është ai që po krijon vende të punës. Sipas tij, Kosova ka ndërmarrës të shkëlqyer të cilët punojnë për të hapur vende të reja pune.
“Përqendrimi i marrëveshjes është të përmirësojmë joshjen e kapitalit të huaj për investime të mëdha qe do sjell teknika te reja menaxhuese”, tha Lubeck.