Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e çon Kosovën në zgjedhje, ka ardhur edhe reagimi i parë i Bashkimit Evropian.
Një zëdhënës i BE-së në Bruksel është shprehur se BE-ja “ka marrë në dijeni” vendimin e Kushtetutës, por pret botimin e plotë të këtij vendimi. Gjithsesi është shprehur se “u takon tash institucioneve të Kosovës që të bëjnë hapat e ardhëm përkatës në përputhje me vendimin”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimeve Evropiane dhe reformat e nevojshme”, thuhet më tej në këtë reagim të këtij zëdhënësi.
Ajo që vërehet është edhe kërkesa e BE-së që Kosova sa më shpejt ta miratojë buxhetin për vitin 2021.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë një zëdhënës i BE-së.
Burimet e BE-së thonë se në këtë kohë krize, kur edhe shtetet tjera e kanë të vështirë të përballen me pandeminë dhe krizën ekonomike që e ka shkaktuar ajo, mosmiratimi i buxhetit do ta rëndonte edhe më shumë situatën në Kosovë dhe do ta bënte edhe më të vështirë përballjen me këto pasoja.
Prandaj presin që tash, kur duket se u ka ardhur fundi spekulimeve se a do të shkohet apo jo në zgjedhje, të ketë një unitet politikë së paku për ta kaluar buxhetin.