Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, ka thënë se arritja e 24 mijë dozave të para të vaksinave, është vetëm fillimi i fundit të Covid-19 në Kosovë, duke shtuar se pritet që të ketë edhe kontigjente të tjera javëve ose muajve në vazhdim, raporton Ekonomia Online.
”Kampanja e mirë e vaksinimit, mund të krijojë zgjidhje për problemin. Sot Kosova pranoi dorëzimin e 24 mijë dozave të para të vaksinave anti Covid-19”, u shpreh ai.
“Është emocionuese që jam këtu. Sot pas një viti, duke parë që pandemia ende nuk është zhdukur, sot është dita që shënon fillimin e një fundi të Covid-19. Të dhënat nga shtete e tjera shfaqin se vaksina ndihmon në luftimin e Covid-19. Covax është duke u lejuar akses vendeve për t’u vaksinuar. Më shumë vaksina do të vijnë në javët e ardhshme, në muajt në vazhdim. Bashkimi Evropian është duke punuar që të sjell edhe vaksina të tjera. Së bashku do të dalim nga kjo krizë”, tha Serri.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Shteteve të QUINT-it, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Abbott, apeloi tek qytetarët e Kosovës që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Dua vetëm të theksoj sa të lumtur jemi për këtë arritje për Kosovën. Britania e Madhe ka punuar me Covax që nga fillimi. Po pres me padurim të shoh implementimin e kësaj vaksinës. Unë apeloj që të vazhdojnë të respektojnë masat parandaluese”, tha Abbott, raporton EO.
Gjithashtu edhe përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Ulrika Richardson, bëri spel që të respektohen masat anti-Covid, duke shtuar se arritja e vaksinës sjell shpresë por nuk e zhduk Coronavirusin.
“Sonte është një moment i lumtur për Kosovën. Kemi parë gjatë pandemisë nevojën për bashkëpunimin ndërkombëtarë, dhe kjo sonte është prova sesi bashkëpunimi mes vendeve sjell shpresë. Kemi punuar afër me qeverinë e Kosovës. Arritja e vaksinave sjell shpresë por Covidi nuk është zhdukur”, tha Richardson.