Publikisht, Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë fushatën botërore të furnizimit me vaksinën ruse kundër COVID-19, duke e cilësuar si pjesë e propagandës nga një regjim i padëshiruar. Por, në prapaskenë, ka nisur që ta shqyrtojë mundësinë për ta siguruar “Sputnik V” në kuadër të përpjekjeve dëshpëruese për të siguruar doza të mjaftueshme për 450 milionë qytetarët e bllokut, kanë bërë të ditur burime diplomatike.
Një zyrtar, i cili po negocion me prodhuesit e vaksinës në emër të bllokut, ka thënë se qeveritë evropiane janë duke e shqyrtuar nisjen e bisedimeve me prodhuesit e “Sputnik 5” dhe se do të merren parasysh kërkesat e katër shteteve anëtare të BE-së për ta filluar procesin. Hungaria dhe Sllovakia tashmë kanë nisur blerjen e dozave ruse, derisa interesim ka shprehur edhe Republika Çeke.
Italia, gjithashtu, po e shqyrton mundësinë e përdorimit të vaksinës ruse. Brukseli është kritikuar për vaksinim të ngadalshëm në kohën kur Britania e Madhe, tashmë ish-anëtare e bllokut, po i lehtëson masat me përshpejtimin e procesit të vaksinimit. Italia po përballet me përshkallëzimin e masës së mbylljes, e spitalet në rajonin e Parisit janë stërmbushur me pacientë. Gjermania, ndërkaq, ka paralajmëruar një valë të tretë të infektimeve.
Bashkimi Evropian ka nënshkruar marrëveshje furnizimi me gjashtë prodhues vaksinash dhe ka nisur bisedimet edhe me dy prodhues të tjerë. Deri më tani ka aprovuar katër vaksina, por ngecja në prodhim po e ngadalëson vaksinimin.