Grupi i Veçantë për Reformën e Administratës Publike ka mbajtur takim, nën drejtimin e ministrit të Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar.
Ministrin i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se modernizimi i Administratës publike është faktor kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket rritjes së transparencës dhe llogaridhënies ne kemi vazhduar pasurimin e portalit kombëtare me të dhëna të reja. Ne kemi publikuar të gjitha të dhënat për vitin 2017. Modernizimi i Administratës publike është pjesë e sundimit të Ligjit, investim në ekonomi, përmirësim i jetës tonë dhe afrimin e shtetit tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
“Si ministër mirëpres gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian. Raporti jep një notë pozitive. Duhet të angazhohemi më shumë për të adresuar problemet e punës. Presim që këtë vit të marrin vendime të vështira, transferimin e një numri të agjencioneve të pavarura të cilat duhet të kalojnë në ekzekutiv”, tha ai.
David Cullen, nga Komisioni Evropian tha se modernizimi i reformave në administratën publike duhet të fillojë sa me herët.
“Prania e ministrave këtu tregon rëndësinë e këtyre fushave. Angazhimi i BE-së në aspektin e Administratës Publike, në trajtimin e aspekteve të shumta, ky është një prej fushave më të vështira dhe më sfiduese dhe sa më herët të fillojmë është aq më mirë”.
“Këto takime kanë të bëjnë me implementimin e reformave. Duhet patjetër të përmend edhe raportin vjetor si dhe vlerësimin që kemi bërë për fushën e reformave të administratës publike, ku është dalë që është arritur progres”, tha ai.
Cullen tha se kanë kërkuar sqarim nëse numër i madh i zëvendësministrave siguron efikasitet, raporton EO.
“I kemi disa pyetje serioze të cilat do t’i adresojmë, sa i përket masave sa ndikojnë, dhe objektivin e një administrate të përgjegjshme dhe kompetente. Në raport kemi vërejtur një trend në rritje të zëvendësministrave të cilët në mandatin e kaluar ishin 45, ndërsa tash janë rreth 80. Duam të dimë se si ky numër i lartë i zëvendësministrave siguron efikasitetin. Për këtë do të japim edhe rekomandimet. Ka pasur një numër të procedurave të emërimeve, dhe emërimet në administratat publike janë çështje shumë e rëndësishme”.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, nuk i plotëson kushtet dhe rrezikon buxhetin.
“Unë qëndrimin rreth ligjit për mësimdhënësit e kam dhënë edhe në Qeveri. Një dokument kur nuk i plotëson kushtet, nuk duhet as të vijë në diskutim në Qeveri. E di që qëndrimi im nuk është shumë populist, por unë nuk jam për t’u bërë populist. Jam këtu për të mbrojtur shtetin”, ka thënë Hamza në konferencën e organizuar nga Ministria e Administratës Publike.
Sipas tij, ligje të tilla që vijnë nga presione sociale dhe vendime të atypëratyshme rrezikojnë buxhetin.
“Ky ligj e ka një rrezik, po e them. Ka rrezik të bëhet precedent. Buxhetin më së shumti e rrezikojnë presionet sociale dhe vendimet ad hoc. Besoj se jemi duke zbatuar politike makroekonomike. Përkundër sfidave MF është e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Reformat e administratës janë të rëndësishme dhe do të mbështeten financiarisht”.
Ministria e Integrimit Evropian, vuri në dukje Ministrja Hoxha, është institucioni kryesor përgjegjës për të siguruar zbatimin e treguesit të parë të Kontratës për Përkrahje Buxhetore Sektoriale për Reformën e Administratës Publike.
“Përmirësimi dhe modernizimi i administratës publike qon Kosovën drejt integrimit Evropian. Duke u bazuar në disa reforma edhe Cilësia e planifikimit të programit të MSA është përmirësuar dukshëm”, tha ajo.
Për këtë vit, ceku Ministrja, fokusi është vënë në tri drejtime: Planifikimin realist, Ndërlidhjen me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe dokumentet tjera vendore dhe Lehtësimin e raportimit, duke vendosur kritere më strikte për planifikim afatshkurtër, duke centralizuar më tepër procesin, si dhe duke ofruar udhëzime për përllogaritje të kostos buxhetore të reformave të planifikuara.
“Cilësia e planifikimit të Programit të MSA-së, është përmirësuar ndjeshëm në tri drejtime kryesore: Reduktimin e numrit të masave afatshkurtra për rreth 45%, nga 959 masa vitin e kaluar në rreth 538 këtë vit. 145 prej tyre janë masa legjislative, ndërsa 393 janë masa zbatuese; Ndërlidhjen e rreth 70% të masave afatshkurtra me reformat e dakorduara në konkluzionet e strukturave të MSA-së; dhe Ndërlidhjen e afër 80% të masave afatshkurtra me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë (PVPQ): gjithsej 279 masa afatshkurtra të Programit të MSA-së janë pjesë e kësaj të fundit; prej tyre, 38 nga 40 projektligjet e parapara me këtë program janë pjesë e Programit Legjislativ të Qeverisë; ndërsa 241 nga 393 masa zbatuese të Programit të MSA-së janë pjesë e PVPQ-së”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri tha se kjo ministri në kuadër të kompetencave të saj është duke marrë masat e nevojshme për të parandaluar krimin e korrupsionin, raporton EO.
“Ministria e Drejtësisë tashme ka hartuar Kodin penal të Kosovës jemi duke shqyrtuar edhe draft kodin e Procedurës Penale. Përmes këtyre kodeve akuzat për vepra penale zyrtaret publik do të lirohen nga puna”.
“Këto dispozita të reja ligjore do të ua mundësojë gjykatave që të trajtohen zyrtarët ligjor. Përfshirja e dispozitave në kodet penale do të ndihmojë në luftën kundër krimit e korrupsionit i cili ka qenë edhe zotim i imi”, tha ai.