BE për takimin e radhës Kurti-Vuçiq: Do të zhvillohet në një kohë të përshtatshme

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Pas tejkalimit të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, krerët e shtetit të Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen sërish për vazhdimin e dialogut mes dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është mbajtur më 15 qershor të këtij viti në Bruksel, por nuk pati ndonjë rezultat të kënaqshëm mes palëve, të cilët kanë deklaruar se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut të ardhshëm.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nuk ka dhënë detaje se kur do të mbahet takimi i radhës mes Kurtit e Vuçiqit, por ka thënë se opinioni do të njoftohet në kohë të përshtatshme.

“Do ta njoftojmë takimin e radhës të dialogut në një kohë të përshtatshme”, ka thënë shkurt Stano për lajmi.net.

I pyetur për rezultatin e takimit të fundit, Peter Stano ka thënë se për këtë ka diskutuar i ngarkuari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kujtojmë se në takimin e fundit mes Kurtit e Vuçiqit, kryeministri i Kosovës i kishte bërë palës serbe katër propozime ku përfshihej edhe propozimi për të nënshkruar një marrëveshje të paqes mes Kosovës e Serbisë, por këto ishin refuzuar nga pala serbe.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme