BE: Procesi i konstituimit të institucioneve të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme

Prishtinë | 21 Gus 2026 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale në vend, duke theksuar se vonesat në konstituimin e Kuvendit mund të pengojnë reformat dhe të rrezikojnë përfitimin e fondeve të BE-së.

“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon për rtv21.

Sipas BE-së, vonesat në formimin e institucioneve mund të ndikojnë në zbatimin e reformave të rëndësishme dhe në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

Në veçanti, Brukseli paralajmëron për ndikimin që ngërçi institucional mund të ketë në përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

BE-ja u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një dialog efikas dhe konstruktiv, duke vlerësuar se vetëm një qasje e tillë mund t’i mundësojë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat e kërkuara nga qytetarët.

“Respektimi i Kushtetutës, jurisprudencës së detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë kërkon që procesi konstituiv të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, me të gjithë aktorët që përmbushin përgjegjësitë e tyre përkatëse”, theksoi tutje Goan.

Të ngjashme