Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, Alojz Peterle, ka dhënë të gjeturat preliminare rreth procesit zgjedhor të 22 tetorit në Kosovë.
Peterle tha se zgjedhjet lokale ishin të qeta dhe përgatitjet teknike ishin në rregull. Përkundër disa vërejtjeve, ai tha se këto zgjedhje janë organizuar më mirë sesa zgjedhjet lokale të vitit 2013, raporton Ekonomia Online.
“Procesi i numërimit të votave është ende në vazhdim e sipër në QNR, ku janë edhe vëzhguesit tonë. Komentet tona vijnë nga përfundimet e rezultateve preliminare. Zgjedhjet ishin më transparente se zgjedhjet e vitit 2013, dita ishte e qetë, procesi i zgjedhjeve dalloi nga komunat me shumice kosovare nga ato me shumicë serbe”.
Shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE-ja ka folur edhe për organizmin e zgjedhjeve në veri. Ai tha se ka pasur kërcënime në vendvotimet serbe dhe kjo është pengesë dhe nuk i plotësonin standardet për zgjedhje demokratike.
“Misioni ynë vlerëson se kishte kërcënime gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe, mes kandidatëve jashtë Listës Serbe. Dëshiroj të them se ne nuk jemi këtu për të imponuar diçka, jemi këtu që të vëzhgojmë me standardet me të cilat Kosova i respekton”.
Ai tha se në listat zgjedhore vazhdon të figurojë një numër i madh i njerëzve të vdekur.
“Ka telashe dhe sfida të cilat nuk kërkojnë unitet kombëtar apo ndryshim të legjislacionit. Janë disa gjëra që kërkojnë ndryshim, e përmendëm listën e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që certifikatat e vdekjes të bëhen në mënyrë automatike dhe të mos lëshohen në bazë të kërkesës së familjarëve. Dëshiroj të them se ajo çka duhet të bëhet nuk është për t’ia bërë qejfin Brukselit, por e përmirëson cilësinë e demokracisë në Kosovë dhe gjithçka shkon në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Peterle më tej tha se mediat kanë mbuluar ngjarjet e 22 tetorit, por theksoi se ka pasur shumë programe të sponsorizuara dhe disa madje e kanë shkelur edhe heshtjen zgjedhore.