Begaj takon Milanoviqin, flasin për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipwrisw Bajram Begaj, në kuadër të pjesëmarrjes në takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, zhvilloi një takim dypalësh me homologun e tij, presidentin e Kroacisë Zoran Milanoviq.

Begaj vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të partneritetit strategjik midis dy vendeve, duke nënvizuar se kjo marrëdhënie e shëndoshë e miqësore, e cila sapo kremtoi 30-vjetorin e vendosje së marrëdhënieve diplomatike, është gjithashtu në interesin më të mirë të rajonit.

Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe donacionet kroate për përballimin e dëmeve të tërmetit të nëntorit 2019, si dhe për vaksinimin e popullsisë gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu traditën mikpritëse kroate për shqiptarët, si dhe hapësirat dhe mbështetjen që i është dhënë, si komunitetit të vjetër shqiptar të Arbanasve, ashtu edhe atyre të rinj, për të ruajtur traditat, kulturën e gjuhën amtare, por edhe për t’u integruar sa më mirë në jetën sociale e politike të Kroacisë.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Bosnje-Hercegovinë, dialogun Kosovë-Serbi, si dhe procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme