Në rreth 26 ari tokë, Azem Koraqi nga fshati Kovaqec kishte nisur të mbjellë misër.
Por, ndryshe nga vitet e tjera, Azemi nuk do të mund të sigurojë të ardhura nga planifikimi që kishte bërë, pasi toka i është dëmtuar.
Ai pretendon se kompania Behchtel & Enka pa lejen e tij, ka sjellë gurë e rërë nga punimet që është duke ndërtuar në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe toka bujqësore i është mbushur edhe me ujë.
Dëme në toka bujqësore nga kjo kompani ka pasur edhe në fshatrat Ivajë, Bicec, dhe Kotlinë.
Në komunën e Kaçanikut, në anën tjetër, deklarojnë se kanë pranuar ankesat nga banorët, por sipas zyrtarëve komunalë, disa kanë arritur marrëveshje me kompaninë për kompensim.
Sipas një vlerësimi që ka bërë Drejtoria e Bujqësisë, dëmet në toka bujqësore nga punimet e Behchtel & Enka, duke përfshirë edhe vërshimet nga reshjet e fundit, arrijnë deri mbi 24 mijë euro.
KTV-ja disa ditë radhazi ka provuar të marrë një qëndrim nga Behchtel & Enka, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigjeje.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ditë më parë i ka dhënë 53 milionë euro shtesë kësaj kompanie për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.