Behgjet Pacolli ia kërkuan 850 mijë euro për ta shpëtuar nga Specialja

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi që ka shantazhuar presidentin e AKR-së, Behgjet Pacollin, duke i kërkuar para për kinse ta shpëtuar nga Gjykata Speciale.

Ai është prezantuar rrejshëm si bashkëpunëtor dhe person me ndikim te prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale në Hagë dhe më vonë prezantoi provat në rastet e imagjinuara ndaj tij.

I pandehuri me iniciale E.H i ka kërkuar fillimisht 850 mijë euro e më pas e kishte kërcënuar edhe vajzën e tij duke i dërguar mesazh “Babai yt është në rrezik dhe ti mundesh me evitua situatën“.

Për këtë ka reaguar këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, që tha se secili rast kërcënimi apo shantazhi do të drejtohet në organet e sigurisë.

“Zoti Pacolli asnjëherë nuk ka qenë subjekt i ndjekjes nga ndonjë gjykatë apo prokurori. Ashtu siç e kemi paralajmëruar edhe më herët secili rast kërcënimi, shantazhi, fyerje ose ofendimi do të drejtohet në mënyrë të menjëhershme për tek organet e sigurisë, të cilat pastaj do të trajtojnë ato raste. Liria e secilit individ përfundon kur cenohet liria e tjetrit”, ka shkruar Zyberaj.

Të ngjashme