Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shkatërrues” në rrethanat aktuale politike.
Behrami ka deklaruar se gjendjen e jashtëzakonshme e shpall Presidenti në konsultim me kryeministrin legjitim dhe vetëm në rrethana shumë specifike.
“Në një situatë kur nuk kemi institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të ishte shkatërruese”, ka thënë ai.
Sipas Behramit, vendimi që pritet më 16 shtator për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka ngritur pretendimin se një shpallje e mundshme e gjendjes së jashtëzakonshme në shtator do të mund të synonte parandalimin e tubimeve apo protestave masive, qoftë në rast të lirimit të ish-krerëve të UÇK-së, qoftë në rast të një verdikti dënues.
“Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit”, ka deklaruar Behrami.