Bekim Haxhiu: Skandal, me buxhet të Kosovës blihen papuqe prodhim i Serbisë në Spitalin e Mitrovicës

Prishtinë | 30 Dhj 2022 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Publikimi i lajmit se me buxhetin e Kosovës janë blerë papuqe prodhim nga Serbia për Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë, ka nxitur reagime të shumta.

Këtë gjë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka quajtur skandal.

Sipas tij fushata për bojkotim të produkteve serbe nuk po respektohet nga qeveria e Kosovës derisa kjo e fundit kërkon nga qytetarët që ta respektojnë atë.

Postimi i plotë:

Vazhdojnë skandalet e Qeverisë, konkretisht në shëndetësi.
Me buxhet të Kosovës blihen papuçe të prodhuara në Serbi, për personelin shëndetësor në Spitalin e Mitrovicës, thua se nuk ka të tilla që prodhohen në Kosovë.
Fushata për bojkotim të prodhimeve serbe nuk po respektohet nga Qeveria e në anën tjetër i kërkojnë popullit ta respektojnë atë.
Domosdoshmërisht shtrohet pyetja përse këto paisje nuk janë blerë në Kosovë, konkretisht në “Solid” të Suharekës, por në Serbi?!
Qeveritarët e sotëm sa ishin në opozitë i rrokullisnin kamionat me produkte serbe, ndërsa tani i blejnë ato nga buxheti i Kosovës.
Çfarë hipokrizie!
Mbi këtë kauzë fituan votë këta qeveritarë e që po del të ketë qenë farse dhe fallce, mashtrimi i radhës.

Të ngjashme