Nëse PDK-ja nuk e nominon Nuredin Lushtakun për kryetar të Skenderajt, atëherë Bekim Jashari, djali i heroit Hamzë Jashari, do t’i hyjë garës për kryetar, por si kandidat i pavarur, shkruan sot, gazeta Zeri.
Janë shtuar orekset për kandidatura për kryetar të Skenderajt, tani kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë kur subjektet politike duhet t’i propozojnë kandidatët për kryetarë të komunave, me ç’rast janë thelluar çarjet në degën e PDK-së në Skenderaj.
Përfaqësues të familjes Jashari tashmë kanë konfirmuar edhe publikisht se janë kundër kandidaturës së Sami Lushtakut edhe për një mandat tjetër për të udhëhequr me Komunën, ndërsa i kanë dalë në përkrahje të plotë Nuredin Lushtakut, i cili pohohet të ketë marrë premtime nga Kadri Veseli, derisa kryetari aktual Sami Lushtaku ndodhej në burg, se do të jetë kandidat i vetëm i PDK-së për kryetar të Skenderajt.
Se ka pasur një marrëveshje në mes të liderit të PDK-së dhe Nuredin Lushtakut, që ky i fundit të jetë i nominuar për kryetar të Skenderajt në mes të Veselit dhe Nuredin Lushtakut, e thotë edhe njëri prej burrave të Jasharëve, më saktësisht djali i heroit Hamzë Jashari, Bekimi.
Ai ka thënë të hënën se Skenderaj ka nevojë për ndryshim dhe se për këtë arsye e përkrah kandidaturën e Nuredin Lushtakut. Ai gjithashtu ka siguruar se do të jetë përkrah tij në çdo rrethanë, edhe në rast se Nuredin Lushtaku nuk nominohet nga Kadri Veseli.