Benitez, që është njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në Evropë, të mërkurën përjetoi një nga humbjet më të thella në karrierën si trajner, pasi ekipi i tij, Dalian Yifang, pësoi 5:1 në kuadër të Superligës së Kinës. Para ndeshjes së fundit të këtij edicioni që luhet të dielën, Dalian zë vendin e dhjetë prej 16 skuadrave të Superligës, pozitë në të cilën edhe ishte kur angazhoi Benitezin si trajner në muajin korrik të këtij viti. Në fakt, Daliani ka vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Futbolli është një lojë, të cilën në Kinë duket se nuk po e kuptoj shumë mirë”, tha Benitez që ende është i inatosur me humbjen nga Tianjin Tianhai dhe për të cilën akuzon lojtarët e tij, që thotë se u dorëzuan. “Nuk e di, thjesht ende nuk po mund të besoj se jemi në pozitën e dhjetë. Është e habitshme”.
Benitez para se të punonte në Kinë ka qenë trajner edhe te ekipet e tjera të Evropës, si Valencia, Inter, Chelsea, Napoli e Newcastle United. Ai shijoi një start të mirë në Kinë përpara se të pësonte rënie drastike. 59-vjeçari që vazhdimisht po lidhet me një kthim në Premier League, gjatë 16 ndeshjeve në Superligën e Kinës ka mesatare prej 1.31 pikë për ndeshje. Ky është rezultati më i dobët i Benitezit si trajner. Tifozët dhe pronarët e Dalianit kanë pritur më shumë nga Benitezi, i cili në ekip ka futbollistët si Salomon Rondon, Yannick Carrasco e Marek Hamsik.