Karim Benzema vijon të japë një performancë jo atraktive edhe atëherë kur skuadra e tij triumfon, duke shtuar kështu gjithnjë e më shumë kritikat për rendimentin e sulmuesit që lë për të dëshiruar, por gjithsesi vetë 30-vjeçari francez duket se e ka pranuar këtë realitet, duke qëndruar nën hijen e portugezit Cristiano Ronaldo, që në kontrast nga ai shkëlqen gjithnjë e më shumë.
Në sfidën e Torinos ndaj Juventusit, Benzema u kthye të ishte pjesë e formacionit, por sondazhet treguan se tifozëria preferonte më shumë një formacion me prezencën e Iscos dhe Asensios në vend të Bale dhe Benzema. Francezi ishte titullar dhe qëndroi në fushë për 58 minuta, deri sa në vend të tij hyri Lucas Vázquez.
Por në ato 58 minuta, Benzema vijoi të qëndronte brenda kornizës gri, situatës neutrale që ka vendosur gjithë sezonin. Pritshmëritë e trajnerit Zidane për sulmuesin francez, që të dalë nga hijet në dritë, duket se nuk do të përmbushen ndaj largimi i tij në fund të sezonit shihet si opsioni më i mundshëm për të ardhmen e sulmuesit që nuk justifikon më staturën prej titullari tek gjigantët spanjollë.
Gjithsesi, Los Blancos duket se do ta përdorin atë për një shkëmbim të rëndësishëm me Blutë e Londrës, me Presidentin e Chelseat, Roman Abramovich që është një admirues i 30-vjeçarit dhe është i gatshëm të lërë të lirë një sulmues të rëndësishëm, për të arritur shërbimet e tij. Në këtë mënyrë të gjitha palët do të mbeten të kënaqura dhe mbi të gjitha mund të jetë kjo një kthesë për Benzema, që është shumë optimist për transferimin në “Stamford Bridge”.