Beogradi kërcënon, asnjë presje nuk ndryshohet nga Marrëveshja për Asociacionin

Prishtinë | 21 Shk 2018 | 16:06 | Nga

Prishtina dëshiron t’u ikë detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit, shkruan sot “Novosti”. Sipas kësaj gazete ajo do të provojë të ndryshojë Marrëveshjen e nënshkruar për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS), transmeton Koha.net.

Për Serbinë është e papranueshme të ndryshojë qoftë edhe një presje e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe lëre më të bëhet një projekt i ri i këtij dokumenti, ashtu siç paralajmëron Prishtina. Beogradi do të kërkojë nga Brukseli, si garant i marrëveshjeve të arritura me shqiptarët e Kosovës, që më në fund të zhbllokohet formimi i AKS-së.

Gazeta citon shefin e delegacionit të Kosovës për dialogun midis Beogradit e Prishtinës, të ketë thënë se në dialogun e pritshëm teknik, i cili është caktuar të mbahet në selinë e BE-së në datat 26 e 27 shkurt, do të paraqesë një projekt të ri të Marrëveshjes për AKS-në, i cili duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo Gjykatë thekson se pjesë të Marrëveshjes që kanë të bëjnë me autorizimet e parapara për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë porositin se marrëveshjet e arritura nuk mund të ndryshohen ashtu siç i do qejfi dikujt, transmeton Koha.net. Theksohet se edhe palës serbe shumë çka nuk i pëlqen nga ato për të cilat janë arritur marrëveshje, por i realizon detyrimet e marra.

“Novosti” shkruan se u.d. i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq do tp kandidojë si temë kryesore formimin e Asociacionit, fillimin e zbatimit të asaj marrëveshjeje. Po ashtu do të insistojë edhe për hetimin e vrasjes së liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme