Qeveria Hoti do të arrijë të mbijetojë për aq kohë sa ekziston interesi i partnerëve të koalicionit, të cilët i kanë shtuar apetitet e paepura politike, ka thënë politologu Belul Beqaj.
“Prandaj, çdo ditë e saj mund të jetë e fundit…”, ka theksuar ai. Sipas Beqajt, Qeveria Hoti erdh si produkt i kalkulimit të “gabuar” të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se do të arrijë marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë, “por që përfundoi me marrëveshje ekonomike, brenda së cilës ka edhe pika diskutabile”.
Aktualisht dialogu është duke vazhduar në Bruksel, por problemet u shfaqën kur u tentua që në rend dite të futet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Beqaj thotë se qeveria aktuale, por as ajo që do të vijë nuk do të mund t’i shmanget këtij obligimi. Sipas tij, palët duhet të pajtohen që Asociacioni të funksionalizohet sipas nevojave specifike që reflektojnë interesat e identitetit të komunitetit serb në Kosovë.
Teksa është kthyer te prioritetet e prezantuara në ekspozenë para deputetëve më 3 qershor, kur Hoti u votua si kryeministër, Beqaj ka vlerësuar se ato janë argumentet më të qëndrueshme për dështimin e Qeverisë.
“Kur ta kemi parasysh edhe premtimin se do të arrijë marrëveshjen me Serbinë me njohje reciproke, atëherë vazhdimin e ekzistencës së saj e bën të rrezikshëm”, ka thënë Beqaj për KOHËN.
Përveç vështirësive për t’i krijuar numrat në votimin e kabinetit, qeveria aktuale prej fillimit nuk e ka shumicën në Kuvend dhe kjo ka bërë që të dështojë votimi i shumë ligjeve, përfshirë ato që ndërlidhen me pandeminë. Për shkak të kësaj situate, Beqaj thotë se shmangia e zgjedhjeve të reja vetëm sa do t’i ashpërsojë kundërthëniet dhe do t’i ngrejë tensionet.
“Prandaj, zgjerimi eventual i koalicionit, në fakt do ta ashpërsojë krizën”, ka thënë ai.