Besim Beqaj nga PDK ka folur për mospërfshirjen e tij në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Beqaj si i ftuar në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar se është tërhequr vetë nga kjo listë dhe nuk është larguar.
“PDK ka aq shumë kuadro saqë do të ishin të panumërt ata që mund të përfshiheshin në listën e PDK-së, ajo çfarë kam bërë publike është se unë kam hequr dorë duke marrë parasysh se kam marrë një detyrë të rëndësishme, ta koordinojë programin ekonomik me shumë ekspertë të tjerë”.
“Ne në PDK nuk vrapojmë për të zënë vende të tilla por të japim kontributin tonë aty ku është e nevojshme, unë i kom ofruar që unë jam i gatshëm të merrem me programin, platformën dhe pse jo në të ardhmen të merrem edhe me zbatimin e këtij programi”.
Ai ka treguar se pos tij, janë tërhequr edhe shumë persona të tjerë të PDK-së nga kjo listë, kjo sipas tij, me qëllimin e një strukturimi të brendshëm të PDK-së.
“Jam tërhequr, jo vetëm unë por janë tërhequr edhe shumë njerëz të tillë sepse besojmë se duhet të bëhet një strukturim që besoj se është model për të gjitha partitë e tjera që të krijojnë ekipe që marrin detyra dhe përgjegjësi në aspektin afatgjatë”.
“Reforma në PDK ka filluar, Fillimi i Ri do të sjellë të rinj e të reja që janë të gatshëm për të jetësuar atë”.