Berisha: Dënimi ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës duhet të shqyrtohet

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Dënimi ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës me 25 vjet burg për rastin e vrasjes së burrit të saj, po shihet si dënim i ashpër dhe i tepruar.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka deklaruar se ky rast duhet të shkojë në rigjykim dhe gjykata ta shqyrtojë vendimin e saj. Ajo ka thënë se me këtë aktgjykim, gjykata nuk e sheh rastin si vrasje në vetëmbrojtje, por si kryerje e vrasjes së rëndë.

“Rasti i Suzanës është rast recidiv dhe i vazhdueshëm për vite, ajo e ka raportuar dhunën e shkaktuar nga ish-burri për një kohë të gjatë. Me këtë aktgjykim, gjykata nuk e sheh Suzanën që ka kryer vrasjen në vetëmbrojtje por si vrasje e rëndë”, ka thënë Berisha në Express-KTV.

Berisha ka deklaruar se fëmija që përfshihet në rast, nuk është ekzaminuar nga ekspertët për ta parë gjendjen e tij emocionale, ndërsa sipas saj, kjo do të ishte shumë e nevojshme për t’i qartësuar rrethanat e ngjarjes.

Ajo ka bëri me dije se si Rrjet i Grave, janë në kontakt me EULEX-in për të parë se si po trajtohet Zogiani në qendrën e burgut.

“Kemi qenë në kontakt edhe me EULEX-in për të parë se si po trajtohet Suzana. Ka pasur vërejtje se edhe aty ka pasur disa probleme, ajo e ka avokatin e saj dhe ne nuk kemi mundur ta trajtojmë rastin më tutje.

Berisha ka potencuar se dënimi ndaj gruas në fjalë duhet të shqyrtohet dhe se dënimi me 25 vjet është shumë i lartë.

“Nuk është ky rasti i parë kur institucionet ligjore të vendit kanë bërë gabime. Kjo është e ndërlidhur edhe me mendësinë e shoqërisë tonë patriarkale ku jeta e burrit ka vlerë më të madhe se ajo e gruas”, ka thënë tutje Berisha.

Lidhur me peticionin e nisur për lirimin e të dënuarës, Berisha ka thënë se nuk janë pjesë e peticionit mirëpo do t’i pas qëndrojnë rastit, duke kërkuar rigjykim dhe vlerësim të rrethanave.

Të ngjashme