Berisha thotë se Kurti po frikësohet të marrë përgjegjësi si kryeministër, s’përjashton zgjedhjet e reja

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 14:27 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për shkak të interesave të tyre po e zvarrisin formimin e institucioneve dhe e gjithë kjo po shkon në dëm të vendit.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në një intervistë për Ekonomia Online tha se është e rëndësishme të arrihet një konsensus për shkak të votuesve për ta formuar Qeverinë.

“Në fakt ka qenë disa negociata të mërzitshme për qytetarët e Kosovës, e kemi pasur një premtim që qeverisja do të bëhet menjëherë mbas 6 tetorit dhe mbas 72 orëve, mirëpo krejt kjo kohë e humbur në dëm të Kosovës ka qenë shumë e mërzitshme për të gjithë neve, edhe është shume keq të zvarriten për shkak të interesave që nuk po arrijnë me i nda disa pozicione aty që në fakt ish dashtë me gjet njëfarë konsensusi për shkak të votuesve për me ec me qeverinë”, theksoi Berisha.

Sipas Berishës, ngecjet e deritanishme të dy partive nuk kanë asnjë parim. Ai thotë se këto parti po shtyhen se cila po del më e fuqishme në koalicion dhe kush po rehaton njerëz më shumë.

“Pse ka ngecje është mirë me i pyet ata që janë në negociata, partitë fituese të zgjedhjeve, mirëpo neve na duket që këto parti nuk kanë asnjë parim, krejt çështja është për tu  pozicionuar, është një farë lufte në mes tyre se kush po del më i fuqishmi në koalicion kush po rehaton njerëz më shumë, kush po merr më shumë ministri që kanë buxhet më të madh”.

“E mira e kësaj është se janë zhvesh prej disa premtimeve, edhe populli është ka e dinë se duke u munduar për të bërë një ndryshim kanë gabuar më së keqi kësaj radhe me përzgjedhjen e këtyre njerëzve që absolutisht nuk kanë parime, edhe nuk janë të vetëdijshëm, që po e rrezikojnë vendin me këto mosmarrëveshje që i kanë”, shtoi Berisha.

Deputeti Bekë Berisha për Ekonomia Online, thotë se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti po frikësohet të bëhet kryeministër.

“Mirëpo si duket po frikësohen me marrë përgjegjësi me marrë kryeministrinë, kjo zvarritje është për mos me u marrë me negociatat. Në këto situata duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë për ta dalë i suksesshëm”, shtoi Berisha.

Ai thotë se nuk kanë marrë ndonjë ofertë nga partia fituese për të negociuar mbi një marrëveshje të mundshme për koalicion qeverisës.

“Nuk kemi marrë ndonjë ofertë. Nuk kemi asgjë për të ju ndihmuar, vetëm më detyrat tona si opozitar, mirëpo problemi nuk qëndron te opozita, problemi është te mosmarrëveshjet e tyre për ta ndarë pushtetin”, ka shprehur Berisha.

Berisha thotë se në bazë të zhvillimeve të deritanishme zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet.

“Kur të vijnë zgjedhjet ne jemi të obliguar me marrë pjesë në zgjedhje, kështu që ndoshta janë zgjidhje zgjedhjet, mirëpo ka ende elemente që këta mundet për ta formuar Qeverinë, është mirë me prit edhe 10 ditë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, qeverisja Haradinaj për gjatë një viti e gjysmë ka qenë jo e kollajshme dhe kanë dhënë kontribut pavarësisht presionit.

“Qeverisja Haradinaj ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) ka qenë jo e kollajshme, mirëpo ne kemi arritur për ti kryer disa punë të mëdha që këta të tjerët nuk do i kishin kryer. Besoj që ne e kemi dhënë kontributin tonë, kemi qenë korrekt pavarësisht edhe presionit nga partnerët brenda, e kemi bërë ushtrinë, dhe i kemi ngritur rrogat”.

Berisha theksoi, se kanë hyrë në një proces të zgjedhjeve brenda Aleancës, kështu që janë  200 pretendentë për kryetar të partisë, raporton EO.

“Ne veç kemi hyrë në proces të zgjedhjeve brenda aleancës, e kemi ndryshuar statusin, tash do të mbahen në të gjitha degët e aleancës, pastaj vijnë delegatë, e çdo delegatë ka të drejtën apo është në listën për tu votuar për kryetar, gjithashtu është në listën për këshill drejtues, kështu që do të kemi 200 pretendentë për kryetar të partisë”, shtoi Berisha.

Të ngjashme