Berisha zhvilloi takime bilaterale gjatë konferencës së Kartës së Adriatikut-A5

Prishtinë | 04 Dhj 2017 | 16:01 | Nga

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Rrustem Berisha, dhe delegacioni që e shoqëronte në përbërje: drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane të MFSK-së, zotëri Faruk Geci dhe koloneli Fadil Hadergjonaj, këshilltar ushtarak i ministrit, zhvilluan disa takime bilaterale në Ohër të Republikës së Maqedonisë, gjatë punimeve të konferencës SHBA- Karta e Adriatikut-A5.

Fillimisht, ministri Berisha dhe delegacioni i ministrisë për FSK-në, u takuan me ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, zonjën Radmilla Shekerinska-Jankovska. Në takimin e përbashkët të dy ministrave u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dyja vendeve.

 Me këtë rast, ministri Berisha i shprehu ministres Shekerinska, gatishmërinë e MFSK/FSK për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit me kapacitetet aktuale, pastaj u bisedua për shkollimin e kadetëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve pakicë në Akademinë e Mbrojtjes të Maqedonisë, si dhe gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në Qendrën e Trajnimit të FSK-së, për Kërkim- Shpëtim të personelit të Ushtrisë së Maqedonisë, dhe me theks, që ka Kosova ka nevojë për mbështetje në rrugën e saj për anëtarësim në iniciativa rajonale dhe më gjerë.

 Ministri Berisha në Ohër, zhvilloi një takim edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë, zotëri Krasimir Karakachanov, me të cilin biseduan për situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

Ministri Berisha dhe ministri bullgar Karakachanov biseduan edhe lidhur me inicimin e proceduarave për arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, e gjithashtu u bisedua edhe për kapacitetet trajnuese në fushën e Policisë Ushtarake, të cilat i posedon Forcat  e Armatosura të Bullgarisë, e që do të ishin të dobishme për FSK-në.

 Gjithashtu, ministri Berisha zhvilloi takim bilateral edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi, zotëri Predrag Boshkoviq, të cilin e uroi, me këtë rast, për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe i shprehu konsideratën për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve.

 Ministri Berisha, në fund, zhvilloi takim edhe me delegacionin e ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë të prirë nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Plane, zotëri Petar Mehatov, me të cilin biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ndërmjet të dyja vendeve dhe dy ministrive dhe për shkëmbimet e shumta dhe aktivitete të gjithanshme në kuadër të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit.

 Në të gjitha takimet bilaterale, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, pikë kryesore të takimeve kishte edhe procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës si dhe nevojën që ky proces të mbështetet nga shtetet mike të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme