Bertoncelj: Bizneset të bëjnë presion që të plotësohen kriteret për liberalizim

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 14:38 | Nga

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, kanë takuar në Ambasadën e Sllovenisë, ambasadorin Bojan Bertoncelj, me të cilin kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

Sipas një njoftimi të lëshuar pas takimit, ambasadori Bertoncelj e njoftoi delegacionin e AKB-së për iniciativat që i ka marrë kjo ambasadë, por edhe Qeveria e Sllovenisë për të mbështetur ekonominë kosovare, përmes edukimit, trajnimeve dhe investimeve për ndërmarrës kosovarë, duke i bartur përvojat më të mira të ndërmarrësisë sllovene në tregun e Kosovës.

“Kompanitë sllovene janë prezentë në Kosovë dhe kanë pasur suksese të vazhdueshme. Ky fakt na gëzon dhe ne dëshirojmë që edhe bizneset e Kosovës të depërtojnë me produktet e tyre në tregun slloven dhe në vendet e BE-së kur këtë tash e mundëson edhe Marrëveshja e MSA-së”, është shprehur ambasadori, transmeton Ekonomia Online.

Në komunikatën e AKB-së theksohet se Ambasada Sllovene dhe Aleanca e Biznesit kanë traditë bashkëpunimi dhe ky bashkëpunim duhet të avancohet. “Ne jemi në përgatitje të një organizimi ekonomik në mes Kosovës dhe Sllovenisë në muajin mars të këtij viti dhe ne mirëpresim edhe kontributin e AKB-së në këtë forum biznesor”.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, na vjen keq që bizneset dhe qytetarët presin për viza por ky nuk është vendim i Sllovenisë por i tërë BE-së. Ne kërkojmë edhe nga ju që të rritet ndikimi nëpër institucionet e juaja që të plotësohen kriteret e fundit për të gëzuar të drejtën e liberalizimit të vizave edhe Kosova”, citohet të ketë thënë ambasadori i Sllovenisë në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, ka folur për bashkëpunimin tradicional ndërmjet dy vendeve. Ai e informoi ambasadorin Bertoncelj për aktivitetet e AKB-së ” në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar”, me qëllim të promovimit të ekonomisë dhe legjislacionit të ri fiskal.

Sipas Shahinit, me masat e reja fiskale, Kosova po bëhet njëra ndër vendet më atraktive për investime, madje duke i konkurruar edhe vendeve të BE-së.

“Por, BE-ja duhet të jetë më tolerante për të liberalizuar lëvizjen e lirë te bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, sepse nga mosliberalizimi i vizave Kosova shpenzon rreth 20 milionë euro për viza në vendet e BE-së”, ka thënë Shahini.

“Produktet, shërbimet dhe investimet sllovene janë gjithmonë të mirëpritura në Kosovë dhe tash është një situatë e re që kjo duhet të promovohen në Slloveni edhe Ligji për investime strategjike dhe shumë masa të tjera fiskale që e kthejnë vëmendjen e investitorëve slloven por edhe të Diasporës tonë atje kah tregu i Kosovës”, ka theksuar kreu i AKB-së.

Të ngjashme