Besim Kelmendit i kërkohet dorëheqje morale nga i gjithë sistemi prokurorial

Prishtinë | 20 Nën 2025 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Pak orë pas votimit nga Këshilli Prokurorial për shkarkimin nga detyra e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendit, i është kërkuar dorëheqje morale nga të gjitha strukturat e sistemit prokuroial.

Dega në Deçan e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” ka vlerësuar se Kelmendi nuk mund të jetë parimor në mbrojtjen e ligjeve të Republikës së Kosovës, për faktin se ai kishte vendosur të ishte pjesë e sistemit gjyqësor gjatë kohës së masave të dhunshme të vite ’90 të shekullit XX.

Lidhja e Historianëve të Kosovës kanë kërkuar largimin vullnetar të Kelmendit nga sistemi prokurorial i Kosovës.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, i kërkon z.Besim Kelmendi largimin vullnetar nga sistemi i prokurorisë së Kosovës, sepse ai, si i tillë, nuk mund të jetë parimor në mbrojtjen e ligjeve të Republikës së Kosovës, kur ka pranuar të punojë gjatë kohës së masave të dhunshme të viteve ’90 të shekullit XX, në kohë kur shqiptarët e Kosovës themeluan institucionet e veta të pavarur dhe punuan sipas Kushtetutë së Kaçanikut”, thuhet në komunikatën e tyre.

Në komunikatën e tyre theksohet se është shqetësues fakti se Kelmendi ishte pjesë e sistemit paralel të Serbisë.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, me shqetësim të madh ka përcjellë rastin e ushtruesit të detyrës se kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z.Besim Kelmendi, i cili ditë më parë u akuzua për pjesëmarrjen si përfaqësues i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës në evidentimin e viktimave të Masakrës së Reçakut. Gjithsesi, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, është edhe më e shqetësuar me faktin se z.Besim Kelmendi, dje gjatë një konference për media, ka pohuar se ka punuar në sistemin paralel të Serbisë”.

“Ne i rikujtojmë opinionit se ata që kanë punuar gjatë viteve ’90 të shekullit XX nëpër institucionet e asokohshme, kanë pranuar të punojnë brenda kuadrit të masave të dhunshme, dhe këtë pranimi e kanë bërë më anë të nënshkrimit të një deklarate. Si shkak i kësaj deklarate, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës nuk i kanë pranuar ligjet dhe masat e padrejta që atëkohë i ka shpallur regjimi i Beogradit karshi Kosovës dhe nëpunësve shqiptar, për çka ka sjell largimin masive të tyre nga vendet e punës”, thuhet në komunikatë.

Një ditë pas intervistimit në Prokurorinë Speciale lidhur me njohuritë e tij për masakrën e Reçakut, Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Vendimi u mor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të enjten.

Të ngjashme