Në vazhdën e takimeve dhe angazhimit me qytetarët, kandidati për Kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besnik Osmani, ka vlerësuar lart rolin e familjeve që kanë dhënë kontribut të veçantë në rrugëtimin politik, arsimor dhe ekonomik të vendit.
Ai ka veçuar kontributin e familjes së Xhemajl Jasharit, e cila sipas tij ka pasur një rol të çmuar brenda LDK-së.
“Nga kjo familje, për katër vite me radhë, ka shërbyer si asambleiste Arjeta, e cila me përkushtim ka përfaqësuar interesat e qytetarëve,” ka deklaruar kandidati, duke nënvizuar shembullin e angazhimit qytetar dhe politik që ka shërbyer në përfaqësimin e denjë të komunitetit në Kuvendin Komunal.
Gjithashtu, ai ka përmendur me respekt edhe kontributin historik të familjes së Isuf Pirrakut, duke rikujtuar rolin e saj gjatë periudhave të vështira për arsimin në vend.
“Edhe familja e Isuf Pirrakut, në kohët më të vështira, e shndërroi shtëpinë e saj në shkollë, duke mos lejuar që nxënësit të mbeteshin pa arsim e dije,” ka theksuar ai, duke e cilësuar këtë si një shembull frymëzimi për gjithë komunitetin.
Kjo familje, siç u potencua, vazhdon të japë kontribut edhe sot, përmes sipërmarrjes në fushën e metalpunuesisë, duke qenë faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik lokal.
“Sot, kjo familje vazhdon ta japë kontributin e vet për komunitetin përmes biznesit të tyre në fushën e metalpunuesisë, ku ofrojnë zgjidhje profesionale për biznese të mëdha, në çdo pjesë makinerike ku të tjerët nuk arrijnë të japin përgjigje,” u tha në mesazhin e kandidatit.
Me këtë rast, ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave që përfaqësojnë këto familje, duke i konsideruar si shtylla të qëndrueshme të komunitetit dhe të vizionit të tij për një Fushë-Kosovë më të zhvilluar dhe më të bashkuar.