Beteja e punëtorëve me KEDS-in

Prishtinë | 30 Dhj 2018 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Augustin Culajt i kanë mbetur vetëm edhe 11 muaj para pensionimit.

Por, fundi i karrierës nuk i doli ashtu siç e kishte ëndërruar Augustini.

Ka punuar 35 vjet në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërsa po pret zbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore, nga tash punëdhënësi i tij KEDS-i, që ta kthejë në zyrën ku kaloi ditët e fundit të punës së rregullt.

31 vjet ishte përgjegjës i logjistikës në distribucionin e energjisë, derisa ishte pjesë e KEK-ut.

Në magazinën informative të KTV-së, “Cosmo”, ai thotë se me të njëjtin përkushtim kishte vazhduar punën edhe kur distribucioni iu shit kompanisë Limak.

Para largimit, KEDS-i e kishte bërë pjesë të një departamenti që thotë të mos ketë pasur çfarë të punojë.

E më pas i ishte thënë se teknologjia e zëvendësoi atë.

Por, Augustini këtë veprim e sheh si një kundërpërgjigje, pasi kishte qenë ndër punëtorët e pakët që nuk kishte nënshkruar për privatizimin e distribucionit.

Ndërsa, kolegut të tij, Fahredin Maçastena, mosbindja ndaj urdhrave të menaxhmentit thotë t’i ketë kushtuar me shkëputje të kontratës.

Fahredini, menaxher për siguri në punë dhe mbrojtje të mjedisit, kishte mbikëqyrur çdo rast mes kompanisë në konflikt me qytetarët.

Disa muaj para largimit, atij i ishte dashur vlerësimi i shkaktarit që kishte çuar në vdekjen e një punëtori në Komunën e Gjakovës, si pasojë e përballjes me një linjë 10 kilovoltëshe.

Fahredini tregon të ketë pasur presion nga ana e kompanisë në ndryshimin e deklaratave.

Kjo bëri që ai të kalojë, po ashtu, në një departament, i cili, sipas tij, veçse ishte shuar dy muaj para kalimit të tij.

E pas shumë vjetësh përvojë pune, atyre dhe 81 punëtorëve të tjerë iu desh që t’i mësyjnë protestat e dyerve të gjykatës.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tregon se u ishin shkelur të drejtat e punës.

Ndërsa, Sindikata e Punëtorëve tregon se për këtë shfrytëzuan çdo mekanizëm të lejuar me ligj që të bëjnë presion mbi menaxhmentin.

Përkrahja e të larguarve thotë të mos ketë qenë e lehtë as për ta. Veprimet e tyre duhej të bëheshin me maturi, pasi vlerësonin se mund ta pësonin të njëjtin fund.

Por, me nisjen e procedurës gjyqësore, sindikata së bashku me punëtorët u ishin shmangur protestave, duke shpresuar në vënien e drejtësisë.

Lënda e tyre kishte kaluar në tri institucione, Inspektorati i Punës, Gjykata Themelore në Prishtinë e deri tek ajo e Apelit.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, tregon se kishin shqiptuar gjobë dhe kishin kërkuar kthimin e tyre në vend pune.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shfuqizim të vendimeve për largimin e punëtorëve, KEDS-i kishte bërë ankesë duke e kaluar lëndën në Apel.

Por e njëjta, në nëntor të këtij viti e kishte hedhur poshtë ankesën e kompanisë, duke aprovuar vendimin e marrë nga Themelorja.

Si përfundim, Gjykata Themelore kishte lëshuar vendim të formës së prerë më 20 nëntor për kthimin e tyre në punë brenda afatit prej tri ditësh.

Kjo bëri që me të filluar muaji i ftohtë i dhjetorit, punëtorët t’u riktheheshin protestave.

Por, të njëjtit hasën në forca të shtuara të policisë, duke përfshirë edhe ata të njësisë speciale.

Moszbatimi i vendimit, kishte dërguar edhe në një seancë tjetër dëgjimore më 21 dhjetor.

Pas kësaj seance, Gjykata ka treguar për KTV-në, se e ka gjobitur KEDS-in në vlerë prej 10 mijë eurosh, si dhe i është përsëritur urdhri.

“Gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore, në të cilën ka dëgjuar deklarimet e palëve në procedurë. Gjykata, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, në të njëjtën ditë jashtë seancës ka marrë aktvendimin Cp.nr.3086/16 të datës 21.12.2018, me të cilin debitorit të përmbarimit i është shqiptuar gjoba në shumën 10,000.00 euro, sipas nenit 15 paragrafi 2, të Ligjit për Procedurën Përmbarimore. Me datën 24.12.2018 i është përsëritur urdhri për përmbarim debitorit të përmbarimit, prapë me kërkesën që brenda afatit tre ditor ta njoftojë gjykatën me shkrim se ka vepruar sipas tij. Si dhe i është tërhequr vërejtja se gjoba do të shqiptohet në mënyrë të përsëritur nëse nuk vepron sipas urdhrit përmbarimor, apo vazhdon të veprojë në kundërshtim me këtë urdhër”, ka thënë Mirlinda Gashi, nga zyra për Informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndërkaq, KEDS-i nuk ka dashur t’i komentojë vendimet e gjykatës, e as nëse do t’i zbatojë urdhrat.

Lidhur me përgjigjen për mbrojte të ligjshmërisë të bërë te Kryeprokurori i Shtetit, ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje, por në përgjigjen e dhënë nga gjykata, kanë treguar se lënda iu është kthyer prapa.

Megjithëkëtë, gjatë kohës sa po largoheshin punëtorët me dekada përvoje punë, KEDS-i po punësonte të rinj.

Përmes KEDS Akademisë, sipas sindikatës, ata po trajnojnë të rinj për një periudhë njëvjeçare, duke i paguar me 170 euro.

E punëtorët e larguar ishte dashur të përballen me papunësinë dhe luftën për një vend pune.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme