Beteja e zymtë e Edi Ramës

Prishtinë | 12 Mar 2022 | 12:09 | Nga Afrim Kasolli

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ndodhet në vështirësi serioze. Revoltat qytetare që po shpërthejnë gjithandej qyteteve të Shqipërisë, kundër ngritjes së çmimeve, e kanë cenuar idilen e pushtetit të tij të pakontestueshëm dhe fuqiplotë. Pra, pikërisht në kohën kur i pari i qeverisë shqiptare, dukej më i fortë se kurrë më parë, ai realisht po përballet me dobësinë e tij më të madhe.

Me furinë e zemërimit të njerëzve të zakonshëm. Me pakënaqësinë e atyre që pretendonte se i përfaqësonte në mënyrë të plotë. Si dhe pamundësinë e tij për ta menaxhuar këtë krizë, pikërisht për shkak të gabimeve të kaluara qeverisëse.

Gjatë karrierës së tij politike, ai i ka mundur të gjithë oponentët e tij, si brenda partisë, ashtu kundërshtarët e jashtëm politikë. Shqipëria sot, realisht ndodhet pa opozitë. Sepse, kjo e fundit më shumë gjendet në luftë me vetveten, se sa me pushtetin. Kurse, Partinë Socialiste e ka stërmbushur me eunukë politikë. Hap pas hapi dhe me metoda perfide, i ka margjinalizuar zërat kritikë brenda partisë, si dhe ka betonuar pushtetin personal të tij, duke e qesëndisur altarin dhe fronin gati me cilësi hyjnore.

Partia Socialiste që ishte e vetmja parti deri më tani në hapësirën shqiptare, që ka pasur guximin t’i legalizoj fraksionet brenda saj. Mirëpo, me kalimin e kohës, nën drejtimin e Edi Ramës e humbi edhe këtë atribut vital për vibrimin e demokracisë. Pra, në vend se PD-ja të shkonte ka PS-ja, kjo e fundit iu përshtat të parës. Prandaj, edhe PD-ja e ka paguar shtrenjtë, gjatë këtyre viteve, paaftësinë e saj për t’u reformuar dhe shndërruar në alternativë të mirëfilltë të pushtetit. Kjo edhe ishte arsyeja pse ajo nuk ishte në gjendje t’i fitonte zgjedhjet. Sepse nuk ofronte asgjë të re në politikën shqiptare.

Ndërkohë, komod dhe të sigurt për këtë dominim absolut, në pjesë e vartëseve të Edi Ramës u pushtuan nga një dëshirë e ethshme dhe konkurrencë neveritëse, se kush do t’i thurë atij më shumë elozhe. Ta lartësojnë rolin e tij heroik. Vlerësimet se ai ishte i vetmi personalitet shqiptar që i afrohet Skënderbeut, u bënë pjesë e kësaj retorike mjerane. Madje, po të zgjohej nga varri edhe Enver Hoxha, do t’ia kishte lakmi artit të propagandës që e instaluan disa vartës të Edit për liderin e tyre historik.

Megjithatë, ai sot po përballet më një realitet tjetër. Më zymtor. Pikërisht në kohën e mandatit të tretë qeverisës dhe jo më larg se pa kaluar pak ditë që i fitoi zgjedhjet komunale, të cilat u mbajtën në disa qytete. Revolta spontane në shumë qytete të Shqipërisë, kundër fluturimit çmimeve të naftës, por edhe produkteve tjera ushqimore, e ka dëmtuar imazhin e tij.

Reagimi i kryeministrit ishte ai që pritej. Në fillim u arsyetua me krizën globale të çmimeve. Me ekonominë e tregut. Dhe pamundësinë e tij për të intervenuar në këtë sektor. Kërkoi mirëkuptim, solidaritet dhe përdëllim, për atë që po ndodh në Ukrainë. Pra, më një fjalë, s’kemi ç’të bëjmë, jemi pjesë e një rrjete globale dhe deshëm apo nuk deshëm do t’i gëzojmë si të mirat ashtu edhe të këqijat e kësaj ndërvarësie. Kurse pak më vonë hodhi akuza mbi protagonistët e protestës si të instrumentalizuar nga opozita. Se kjo e fundit, po manipulon me pakënaqësinë qytetare për qëllimet e saj politike. Pasi, liderët e opozitës, kanë dështuar t’i realizojnë qëllimet e tyre politike më metoda tjera, atëherë po e shfrytëzojnë frustrimin aktual popullor në funksion të synimeve të tyre plëngprishëse. Një mundësi e tillë nuk mund të mohohet. Sepse kundërshtarët politikë presin më padurim rastin dhe shansin për ta minuar punën e ekzekutivit. Dhe një skenarë të tillë e ka aplikuar jo pak herë edhe vetë Edi Rama, sa ishte në opozitë kundër pushtetit të kohës. Ndërkaq, ky patos destrukiv shpeshherë ka qenë fatal për konsolidimin e shtetit shqiptar.

Sidoqoftë, me anë të këtyre driblimeve dhe ndryshimit të shpejtë të qëndrimit, në varësi të situatës, Edi Rama, nxori në sipërfaqe edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme, që e bënë edhe atë përgjegjës për gjendjen e krijuar dhe nga e cila kanë vuajtur jo pak qytetarët shqiptarë. Prandaj, edhe nuk mund të amnistohet plotësisht, sepse në fundit të fundit, nuk është në vitin e parë të qeverisjes, por në të nëntin. Kështu, deri sa protesta ishte minore, ai arsyetohej se çmimet i dikton ekonomia e tregut. I shpërfilli në mënyrë cinike kërkesat e protestueseve. Madje, nuk i akuzoi si të manipuluar dhe instrumentalizuar. Ndërkaq, ne vend të solidaritetit me atë zëra të dëshpëruar, ai zgjodhi solidaritetin më naftarët. Me synimet e tyre për ta shndërruar Shqipërinë në eldorado të përfitimeve të tyre, nën emrin e luftës në Ukrainë.

Pra, çmimin e aspiratave për liri të popullit Ukrainës duhet ta pagunin nga xhepi i tyre qytetarët e zakonshëm shqiptar, dhe jo pronarët e kompanive të naftës. Ata nuk bënë të sakrifikonin asgjë nga fitimi i tyre. Madje mund edhe pasuroheshin me shumë. Duhet të humbnin ata që nuk kishin më çka për të humbur dhe mund të fitonin ata çka kishin edhe më shumë për të përfituar. Këta mund t’i shtonin të ardhurat, sepse kështu thotë “ekonomia e tregut”, perëndia shekullare e rendit “hiper-kapitalist” të shekullit 21, në Shqipëri. Ndërkohë, që një shumë vende të tjera po ndodhte e kundërta. Po merreshin masa si të kontrolloheshin pasojat negative që mund të krijonte për këto shoqëri e tendenca e spekulimeve financiare dhe ekonomike.

Mirëpo, kur situata filloi të radikalizohet, të dalë jashtë kontrollit, atëherë, kryeministri nuk vonoi dhe reagoi. Me një dekret qeveritar dha urdhër për formimin një trupe administrative, që i mban nën kontroll çmimet e naftës. Dhe paralajmëroi masa penalizuese për ata që nuk i përfillin rekomandimet e imponuara nga shteti. Pra, u harrua përkohësisht karakteri sakral dhe vet-rregullativ i veprimtarisë tregtare.

E këto lëvizje nxorën në pah paradokset e kryeministrit, Rama. Kushtëzimet e tij. Dhe treguan se në fillim ai më shumë ishte i preokupuar me fitmet e pronarëve të kompanive, se sa humbjet e shumicës së qytetarëve. Sepse, po të ishte e kundërta në fillim do t’i kishte marr masat që i mori me vonesë. Mirëpo, me anë të këtyre driblimeve ai e përndezi edhe më shumë zemërimin popullor. Ngase, siç na ka thënë, Alexis de Tocqueville, shpeshë herë mund të jetë më fatale nisma e një regjimi të korruptuar, kur tenton të korigjohet”. Në vend të përmirësimit ai shembet. Kështu ky rast tregojë, se jo pak herë shoqëria shqiptare nën emrin e këtij nocioni mitik sikur “ekonomia e lirë e tregut” është manipuluar, nëpërkëmbur dhe shfrytëzuar nga aleancat cinike ndërmjet pushtetit dhe mogulëve tregtarë, e që kanë qenë në raporte simbiotike me politikën.

Rrjedhimisht, këtë protestë nuk ka kapacitet ta orkestrojë opozita. Ngase edhe ajo është pjesë e kësaj skeme, kundër së cilës sot po reagojnë qytetarët shqiptarë. Kuptohet, ajo do të tentojë të përfitojë nga situata e krijuar. Por, fitili i shpërthimit erdhi në mënyrë të natyrshme ndaj këtij modeli qeverisës. Dhe shumica shqiptare ka votuar për Edi Ramën që të ndërtojë mekanizma mbrojtës edhe në situata të tilla. E, jo vetëm t’i shijojë benefitet e pushtetit në kohë paqeje. Prandaj, edhe reagimi drejtohet ndaj atij ekskluzivisht. Ngase, opozitës aktuale, qytetarët e Shqipërisë ia kanë treguar vendin me kohë. Ndaj saj kanë protestuar me votë. Nuk ka nevojë më për forma tjera.

Kurse nëse pushteti nuk e dëshmon vetën ne kohë krizash është e zakonshme që zemërimi popullor shpërthen dhe hovëzon në kulmin e tyre. Sepse, njerëzit në këto momente e ndjejnë vetën të braktisur më shumë se asnjëherë tjetër më parë. Me këtë rast rruga dhe sheshet bëhen arena ku ata e manifestojnë pakënaqësinë. Ngase e kuptojnë më shumë se kurrë më parë të vërtetën brutale të sistemit nën të cilin kanë jetuar deri në atë kohë. E shohin vetën të vetmuar dhe të papërfaqësuar. Të izoluar. Dhe margjinalizuar. Në këtë kontekst, nuk u mbetet mundësi tjetër, pos të bashkohen për ta shtuar forcën dhe pushtetin për vete dhe familjet e tyre.

Çmimi i një jetë te gjatë politike është humbja. Dhe mbase pamundësia e Edi Ramës për ta menaxhuar këtë krizë si duket mund ta shënojë fillimin e fundit të tij në politikën shqiptare.

Të ngjashme