Debati âsht nji udhëtim në malin e mosmarrveshjeve

Prishtinë | 11 Dhj 2024 | 16:24 | Nga Halil Matoshi

(Nji essay mbi bërtimat apo shmangien e përballjes)

1.
Tue u nisë nga postulati aristotelian se thjesht nji në njëqind njerëz, nashta, meriton të debatojë me ty – njeriu dyshues (mendja karteziane) duhet të arratiset në mal!?
Pra i duhet me ik nga qyteti, nga gazeta e televizioni!
“Të tjerët le të llomotisin çfarë të dojnë” – thotë Aristotel – “ngase kushdo gëzon të drejtën e marrëzisë…”
Porse a mund ta justifikojmë heshtjen e inteletualëve para marrëzisë?
Ideologjitë e majta (nacionalizmi i majt që shfaqet si popullizëm) e vrau debatin, ngase mendja totalitare nuk e duron kritikën publike duke e ndjekë atë si anmikun ma t’eger,

2.
Albert Camus shkruente për vitet ’50 kur u ringjall e majta staliniste të kenë vra diçka brenda njeriut dhe kjo diçka është vetëbesimi i vjetër i tij, i cili e bënte gjithmonë të besonte se mund të ngjallte reagime njerëzore tek dikush tjetër vetëm duke i folur me gjuhën e humanizmit.
‘Njeriu gënjeshtar e mizor nuk munet me u bind që mos me ba ligësi, tue qenë se ai âsht i sigurt në vetvete’ (në marrëzi) sepse simas Camus-it, nuk munesh mee bindë nji abstraksion, domethënë përfaqësuesin e nji ideologjie. Camus konkludonte se dualogu i racës njerëzore ka marrë fund dhe natyrisht, nji njeri që nuk munesh me e bind për asgjâ, âsht nji njeri për me e pasë frikë.
A âsht ky njeriu me fytyrë të mërdhezun, njeriu-bishë i Nietzsche-s?

3.
Carl Schmid thotë se anmiku politik nuk asht ma i keq se na ne aspektin etik apo ma i shemtuet ne aspektin estetik, por “asht i keq” sepse ai nuk mendon si na. Ose na i cenon te vertetat perfundimtre ne te cilat besojme. Gjuha e urrejtejs asht frike nga tjetri dhe si e tille asht keshilltar i keq yni, sepse rendom shpie ne dhune…
Urrejtja e shndrron njeriun në bishë dhe ushtimat qe ai digjon vijnë nga shpella parake, nga e cila ende-jo-njeriu ka frigë me dalë, sepse vuen sindromen se ka me dekë uni… se gjuetarë tjerë ma t’zot e ma t’shkathtë (konkurenca kan me ia marrë prenë!?

4.
Tek “Vullneti për pushtet”, Nietzsche thotë se njeriu âsht kafshë dhe superbishë; njeriu më i naltë âsht çnjerëzor pra mbinjerëzor: i dyzuem.
Me çdo rritje të madhështisë dhe naltësisë tek njeriu, ka edhe nji rritje në fellsi dhe tmerr. Ai nuk synon njanën pa tjetrën – ose ma mirë: sa më rrâjsisht ta dëshirojë njânen, pra pushtetin aq ma rrâjsisht arrin piknisht tjetrën, kafshnoren!?
Njeriu i shpellës po rizgjohet, ai po luron!
N’foltore t’ Kuvendit. N’televizion.
N’media sociale.
Në Agoren moderne të shpërfytyrueme në vullnet për fuqi…
Brit ose shmangu!

Të ngjashme