Si të definohet suksesi në zgjedhje? (III)

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 12:49 | Nga Blerim Shala

Nuk ka përllogaritje dhe parashikim politik që mundëson një ecje të shpejtë pas-zgjedhore në procesin e krijimit të pushtetit qendror të Kosovës, pa pasur nevojë për bisedime dhe negociata në mes të liderëve të partive kryesore politike në vend.

Siç dihet, ato bisedime nuk kanë munguar as në të kaluarën. Por, asnjë rezultat pozitiv nuk doli prej tyre. Shkaqet janë të shumta. Dhe fajet, gjithsesi.

Për këtë shkak, zaten, pasuan dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, një herë në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe tani në qershorin e këtij viti.

Mendimi i shëndosh politik e thotë që këto votimet e 7 qershorit do të duhet të jenë të fundit për vite me radhë. Kosovës i duhet një stabilitet politik dhe institucione të qëndrueshme në nivelin qendror.

Lehtë të thuhet, vështirë të bëhet.

Por, disi duhet të ndalet kjo tatëpjeta e vazhdueshme politike që nisi në pranverën e vitit të shkuar, pas dështimit fillestar të Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur Kryetarin e vet.

Kësaj here, siç dihet, Kuvendi i Kosovës i cili do të duhet të mblidhet në legjislaturën e njëmbëdhjetë, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka një detyrë të plotë në mandatin e tij: Të zgjedh fillimisht Kryetarin e Kuvendit, pastaj, Presidentin e Kosovës, më në fund, edhe Qeverinë.

Kështu është rendi i hapave politik dhe ligjor.

Ky trehapëshi i pashmangshëm i këtij legjislacioni, duket si një arsye shtesë në morinë e atyre tashmë ekzistuese, (që janë grumbulluar me muaj të tërë), për të inkurajuar politikanët kryesorë të vendit që të adresojnë me një urgjencë të kuptueshme krijimin e pushtetit qendror në Kosovë.

Dihen të gjitha të metat dhe përparësitë politike dhe kushtetuese me të cilat jemi ballafaquar kohëve të fundit.

Nuk ka si të anashkalohet fakti i gjithë njohur që nuk mund dot të nisë as vet procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, nëse në sallën e Kuvendit nuk do të jenë së paku 80 deputetë, dhe nëse që të gjithë nuk do të votojnë për njërin prej dy kandidatëve të propozuar për postin e Presidentit.

Nuk mund dot të harrohet një tjetër e dhënë e çimentuar ligjore dhe kushtetuese, që Kryetari i Kuvendit i takon partisë/ koalicionit, që ka fituar më shumë mandate në zgjedhjet e kaluara.

Më në fund, dihet që numri i artë që është ‘leje kalim’ për krijimin e Qeverisë është ai që bazohet në shumicën prej 61 deputetëve të Kuvendit.

Nëse këto tri elemente të palëkundshme dhe të pakontestueshme që shfaqin legalitetin në Kosovë, dyzohen me atë elementin e rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, që na pajisin me atë dimensionin e legjitimitetit, atëherë, nuk do të jetë aspak e vështirë që të mbërrihet tek epilogu i duhur, i arsyeshëm dhe vetëm i mundshëm (në të vërtetë), i rrjedhës politike në vend pasi që të konfirmohen rezultatet e zgjedhjeve të kësaj të diele.

Kohë më për lojëra dhe manovra politike nuk ka. Durimi i qytetarëve të vendit është sosur. Faktorët relevantë ndërkombëtar janë lodhur dhe mërzitur me ne, sepse ne, si politikë dhe si shoqëri, po e harxhojmë pa kurrfarë plani dhe programi, asetin më të rëndësishëm që një shoqëri dhe një vend e ka: Kohën.

Ne aktualisht jemi jashtë kohës. Po vendnumërojmë. Po merremi me vetveten. Nuk po kuptojmë se në çfarë rrëmuje ndërkombëtare po jetojmë. Nuk po i druajmë (ende), pasojave të pashmangshme të gjithë këtij pështjellimi të rrezikshëm, të pashoq që nga Lufta e Parë Botërore.

Duhet ta zëmë hapin. Vet. Askush nuk mund ta bëjë këtë në vendin tonë. Dhe as për ne.

Këto janë ditët dhe javët që patjetër duhet ta bëjmë këtë gjë.

Të ngjashme