Pas 9 vjetësh, jetësohet biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Dardani

Prishtinë | 23 Gus 2016 | 17:47 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është finalizuar projekti i përmendur që nga viti 2007 për hapjen e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në lagjen Dardania afër  shkollës fillore “Xhemajl Mustafa”, në Prishtinë. Projekti ka filluar të zbatohet nga viti 2011.

Drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Mynish Hyseni në ceremoninë e përurimit tha se për 70 vjet ky institucion përçon ndër breza misionin fisnik për hapje të librit.

“Uroj që bashkërisht këtë dhuratë të bekuar ta ruajmë e të përpiqemi çdo ditë e më shumë në ngritjen e rritjen e një komuniteti lexuesish e me këtë edhe misionin tonë për librin dhe shkrimin që rrezatojnë dritë. Nga sot e tutje do të sfidohemi me këtë dhuratë të çmueshme, e cila shkon përtej kënaqësisë, dhe po vjen koha e duhur që të tregoj më shumë përkushtim për dije e kulturë”, tha Hyseni.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se edhe përkundër faktit që ata nuk e kanë nisur këtë projekt, është shprehur i lumtur që po e përfundojnë.

“Në kohën kur e kam marrë mandatin ky projekt ka qenë i përfunduar, por ka pasur probleme, dhe tash ky objekt është gati për përdorim. Ne nuk e kemi nisur, por kemi nderin që po e përfundojmë”.

Ai gjithashtu i ftoi të rinjtë t’i kthehen librit, dhe të lexojnë sa më shumë.

“Shpresoj që gjeneratat e reja t’i rikthehen librit e t’i lënë telefonat, sepse ky është ushqim për mendjen tonë”.

Drejtori për Kulturë i Komunës së Prishtinës, Besart Vllahinja, tha se biblioteka do të jetë në shërbim të lexuesit edhe në katër degë të tjera të qytetit si dhe në gjashtë degë të tjera në zonat rurale

“Ky objekt ka një adresë falënderimi, e ai është lexuesi i librit. Biblioteka si institucion, me thesarin e saj librin, do të jetë në dispozicion të lexuesit edhe në katër degë të tjera të qytetit, si dhe në gjashtë degë të tjera në zonat rurale”, tha Vllahinja.

Ai gjithashtu konfirmoi se drejtoria e kulturës ka paraparë një fond prej 50 mijë euro për sigurimin e titujve të rijnë profesional për pasurimin e fondit të përgjithshëm të bibliotekës.

Një punë të madhe për ndërtimin e këtij objekti u cilësua që e ka bërë ish-drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës Saranda Bogujevci.

Ajo tha se ka qenë një projekt i rëndësishëm, dhe falënderoi kryetarin Shpend Ahmeti për përkrahjen për ta udhëhequr punën për projektin në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

“Ndërtimi i këtij objekti ka qenë një projekt i rëndësishëm, prandaj e falënderoi kryetarin që më ka përkrah dhe më kanë ndihmuar ta udhëheq këtë projekt në mënyrën sa më të mirë të mundshme”

Objekti i ri i bibliotekës është i sistemuar në hapësirën prej 30 ari në lagjen “Dardania” dhe është i ngritur në tre kate.

Biblioteka ka dy salla të mëdha të leximit, secila me kapacitet prej rreth 300 vendesh, një sallë për tryeza e konferenca shkencore, janë hapësira të tjera që janë përfituar nga kjo ndërtesë.

Objekti i ri i Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, që për shumë vite funksiononte në një objekt të vjetër afër ndërtesës të Komunës së Prishtinës. Ndërsa ende nuk dihet se çka do të ndodhë me objektin e vjetër ku funksiononte kjo bibliotekë.

Të ngjashme