Inflacioni në Turqi u ngadalësua më shumë se ç’pritej në muajin maj në 18.7 për qind, prej rënies së çmimeve të mallrave familjare dhe ushqimeve, ndërkohë që vendi përballet me pasojat e krizës së valutës të vitit të kaluar.
Në kulmin e krizës, që fshiu 30 për qind të vlerës së lirës kundër dollarit, inflacioni arriti nivelin më të lartë në 15 vite prej 25 për qind.
Mallrat e ekonomive familjare ranë me 1.58 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet jo-alkoolike humbën 1.18 për qind, rritja më e madhe rezultoi te pijet alkoolike dhe duhani, me 8.88 për qind, ndërsa veshjet treguan rritje të çmimeve me 4 për qind.
Institutit turk i Statistikave thotë se lira u tërhoq në 5.8925 kundër dollarit pas publikimit të të dhënave. Sipas analistëve, tregjet i interpretuan të dhënat mi inflacionin si një sinjal që Banka Qendrore do të ulë normat e interesit më shpejtë se ç’pritej, çka do të jetë pozitive për valutën, raporton Scan.
Shqetësimet mbi aftësinë e bankës qendrore për të luftuar inflacionin, përballë thirrjeve të presidentit Recep Tayyip Erdogan për të ulur interesat, nxitën shitjen e valutës vitin e kaluar.
Institucioni qendror rriti normën bazë të interesit në 24 për qind në muajin shtator për t’i bërë ballë rritje së inflacionit. Rritja e kostove të huamarrjes së bashku me rritjen e çmimeve të importit, goditën aktivitetin ekonomik, duke çuar vendin drejt recesionit.
Ekonomia u tkurr me 3 për qind në tremujorin e katërt 2018 dhe me 2.6 për qind në fillim të 2019-së.