Bien shifrat e konfiskimit të pasurisë, anëtarët e KPK-së nuk e pranojnë raportin

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 15:12 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Viti 2018 ka shënuar rënie në konfiskimin e pasurisë së paligjshme, u tha në Raportin e Koordinatorit Kombëtarë për Luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor-dhjetor 2018, derisa anëtarët e KPK-së e kanë kritikuar raportin e prezantuar për shkak që sipas tyre nuk ka pasur elementet e nevojshme, raporton Ekonomia Online.

Koordinatori kombëtarë për luftimin e krimeve ekonomike, Shqidon Fazliu, ka thënë se në vitin 2018 ka pasur ulje të konfiskimit të pasurisë së paligjshme. Ai ka thënë se anëtarët e KPK-së nuk duhet t’i marrin personale të gjeturat e raportit.

“Për dallim prej vitit 2017, vitin e kaluar e gjeta në një nivel më të ulët të konfiskimit të pasurisë. Kemi më pak të konfiskuara dhe është e shifër e papërfillshme sepse shifra prej 50 mijë eurove është e vogël duke marr parasysh se kemi shumë polic hetues. Një e mirë e kësaj është se një pjesë e mirë e rasteve është në procedim. Për vitin 2018 niveli i sekuestrimit dhe konfiskimit ka qenë në nivel të kënaqshëm, mirëpo ka rënie jashtëzakonisht të madhe”, tha Fazliu.

“…Ne kemi mendu qe edhe KPRK dhe KGJK duhet me vendos fokusin në llogaridhënie në këshille. Nëse do të mendoja se çka do mendojnë për mua, asnjëherë nuk do të vazhdoja të merresha me këtë punë. Nuk duhet ta merrni këtë personale dhe me inati. Nëse mendoni që dikush mundet me kry këtë punë më mirë, prej tash llogaritni në dorëheqjen time”, ka thënë Fazliu.

Zv. kryesuesi Arben Ismajli ka kërkuar që raporti të mos aprovohet sepse sipas tij nuk përmbush elementet që duhet t’i përmbajë.

“Është alarmuese shuma vetëm prej 50 mijë eurove. Nëse i kemi vetëm 50 mijë euro që duhet me u konfisku ky është sukses mirëpo nëse janë 5 milionë euro, atëherë ne nuk jemi mirë. Neve nuk na intereson nëse policia shkojnë në trajnime. Ky raport nuk përmban atë se çka duhet me përmbajt, kisha propozuar që ky raport mos me u aprovu. Dua të di se çka ke keq ti me mua apo unë me ty. Unë nuk kam hakmarrje asgjë me ty”, u shpreh Ismajli.

Anëtari i KPK-së, Haxhi Sinani, ka thënë se raporti është shumë i dobët.

“Unë në këtë raport vetëm dështime po shoh. Unë do të doja të dija pse është një raport kaq i dobët. Unë kërkoj që ky raport të mos aprovohet. Ju jeni për me jep rekomandime për shpëlarje të parasë”, tha ai.

Kryesuesi i këshillit, Bahri Hyseni, tha se koordinatorit nuk i është dhënë asnjë detyrë me vlerësu këshillin.

“Nuk është pse po e thotë dikush, por po e thotë zv. kryesuesi i këshillit. Në kuadër të memorandumit që e ka nënshkruar ish-kryesuesi janë theksuar decidivisht detyrat dhe përgjegjësit që i ke. Në kuadër të detyrave që i ke nuk tu ka dhënë detyrë me vlerësu këshillin. Këto rekomandime nuk kanë bazë dhe të lutem mos i tejkalo kompetencat tua. Kërkoj që të mblidhet bordi që e ka nënshkruar memorandumin dhe të marr vendim për zyrën e koordinatorit.

Kryeprokurori  i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se ka pasur rezultate dhe nuk mund të thuhet se nuk ka pasë sukses në luftën kundër krimeve ekonomike.

“Unë nuk besoj që situatë të tilla ka lejuar KPK, ajo ka qenë shumë sy qelë për masat për konfiskim. Vetë fakti që kemi 37 prokuror në 3 mujorin e fundit që i kanë zbatu masat për konfiskim, ka rezultat, ndoshta nuk është suksesi që e kemi prit mirëpo s’mund të themi qe s’kemi pas sukses. Shqipdoni nuk po lyp përgjegjësi te KPK-ja dhe KGJK-ja. Është brengosëse bashkëpunimi me ATK-në”, raporton EO.

Me propozim të prokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, raporti është votuar pa rekomandime me 8 vota për dhe 1 kundër.

Koordinatori nacional e ka lëshuar mbledhjen ende pa u votuar.

Në rend dite ka qenë edhe gjeografia kriminale 2013-2017.

Drejtori i sekretariatit i KPK-së, Lavdim Krasniqi ka prezantuar raportin e gjeografisë kriminale.

“Raporti bazohet në numrin aktual të banorëve në Kosovë. Gjatë këtyre viteve janë bërë mbi 10 mijë lëndë për veprat penale karakteristike. Veprat penale të drogave dhe korrupsionit janë veprat më së shumti të paraqitura. Në relacion 2013-2017 më së shumti ka pasur akte abuzuese në vitin 2017. Vendimet e gjykatave për pesë vjet kanë marrë 2067 vendime. Raporti përmban disa rekomandime që është sistemi i avancimit dhe transferimin e prokurorëve, profilizimi i prokurorëve”, tha Krasniqi, raporton EO.

Kjo raport është aprovuar me 9 vota.

Ky këshill ka miratuar edhe dorëheqjen e Blerim Isufaj nga anëtari i Këshillit Prokurorial.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se dorëheqja është ofruar dje dhe sipas tij është për arsye personale .

Aty u themelua edhe Komisioni për Emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në përbërje të Besim Kelmendit kryesues, dhe anëtarëve Drita Hajdari dhe Xhevdet Bislimi.

Të ngjashme