Bilall Sherifi: Beteja jonë nuk ishte për t’u bërë pjesë e qeverisë, por për ligj dhe votuesit tonë

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Gjykatës Supreme që votat e ardhura nga Serbia të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit ka disponuar anëtarët e Nismës, të cilët pas këtij vendimi do të jenë pjesë e legjislacionit të shtatë në Kuvendin e Kosovës.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, tha se ky vendim ka sjellë gëzim për faktin se është dëshmuar që Kosova ka ligj që zbatohet.

“Me këtë vendim është konfirmuar ajo që në vazhdimësi kemi thënë që Nisma dhe koalicioni ynë është pjesë e Kuvendit”.

“3104 vota u konsideruan të vlefshme edhe pse janë parë që kanë ardhur në mënyrë të paligjshme. Këto u refuzuan së pari nga PZAP e tash edhe nga Supremja u mor vendimi për të mos u pranuar. Jemi të lumtur që kemi qenë në anën e drejtë dhe tani Kosova është më e sigurt juridikisht sepse u tregua që nuk i nënshtrohemi asnjë presioni të asnjë natyre”.

“Këto institucione treguan se kanë dinjitet njerëzor dhe moral dhe se nuk pranojnë për asnjë matematikë të ndonjë partie”.

Sherifi tha se nga rinumërimi i 1428 të vendvotimeve që janë në proces po presin vetëm shtim të votave dhe jo rënie të tyre.

“Ne në vazhdimësi kemi deklaruar se sa vota kemi marrë nga çdo kuti të Kosovës. Nisma ka qenë dhe do të jetë pjesë e legjislacionit të shtatë. Besoj që pas rinumërimit do të rritet numri i votave për koalicionin tonë. Mbi 42 mijë votues kanë vendosur që këtij koalicioni t’ia japin gjashtë mandate”.

Sherifi në Info Magazine ka thënë se deputetët do t’i përfaqësojnë dinjitetshëm ata që i kanë dhënë votat atyre. Ai po ashtu iu ka bërë thirrje partive të tjera që të pajtohen me vullnetin e popullit dhe të mos tentojnë që të ndryshojnë këtë.

“Kemi pasë një betejë më shumë për ligjshmëri dhe kjo ka vërtetuar që Nisma ka qenë në anën e duhur. PZAP i ka bërë një shërbim të madh vendit sepse askush më nuk mund të kontrabandojë më vota në të ardhmen”.

Por a do të jetë pjesë e qeverisë së re koalicioni Nisma-AKR-PD?

“Me qetësi vazhdojmë të mbikëqyrim procesin e rinumërimit dhe pas përfundimit, Limaj do të vazhdojë të punojë. Këtë betejë nuk e kemi bërë që me çdo kusht të jemi në qeveri por t’iu dalim krah vullnetit të mbi 42 mijë votuesve”.

“Nëse bëhet koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së dhe nëse ata duan një qeveri me 61 mandate me shumicë shqiptare, pa Nismën nuk mund ta bëjnë. Por nëse duan ta bëjnë një qeveri pa shumicë ata mund ta bëjnë. Limaj i ka të gjitha autorizimet nga kryesia për të vendosur”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme